Koreja e Veriut dhe ISIS temat e Samitit për Sigurinë Bërthamore

Elton Tafaruci

Kërcënimi bërthamor i Koresë së Veriut dhe rreziku që edhe ISIS-i mund të sigurojë një armë nukleare janë temat qendrore të Samitit për Sigurinë Bërthamore që fillon sot punimet në Uashington dhe që do të vazhdojë edhe nesër.

Ky është samiti i katërt që organizohet për përmirësimin e sigurisë globale bërthamore që kur presidenti amerikan, Barack Obama bëri publike politikën e tij të mospërhapjes së këtyre armëve si pjesë kryesore e axhendës së politikës së jashtme amerikane, në vitin 2009.

Në këtë samit marrin pjesë 50 kryetarë shtetesh dhe qeverish si edhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, të cilët do të diskutojnë rrugët për reduktimin dhe sigurimin e stoqeve bërthamore.

Zëvendëskëshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, Ben Rhodes bën me dije se samiti do të përpiqet të gjejë mënyrat për të parandaluar rënien në duart e terroristëve të ISIS-it të materialeve bërthamore.

Ndërkohë, Rusia, një faktor kyç në arritjen e marrëveshjes bërthamore mes Iranit dhe fuqive të mëdha, nuk do të marrë pjesë në këtë samit, me justifikimin e mungesës së bashkëpunimit./E.T

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *