Koronavirusi dhe disa këshilla për dhuruesit e gjakut

Ornela

Pranvera Kola

Nëse mendoni se jeni ekspozuar ndaj koronavirusit të ri, duhet të prisni që të kalojnë të paktën katër javë dhe më pas të dhuroni gjak. Është ky apeli i lëshuar nga ekspertët e shëndetit publik jo vetëm për të gjithë personat që janë dhurues të rregullt të gjakut, por edhe për dhuruesit vullnetarë.

Sipas tyre, mjaftojnë edhe shenjat e një gripi të thjeshtë për të qenë arsye përjashtimi nga dhurimi i gjakut. Por, nëse simptomat shfaqen pasi ju keni dhuruar gjak, ju duhet të lajmëroni menjëherë shërbimin e transfuzionit në të cilin keni bërë dhurimin. Specialistët e shëndetit publik shtojnë më tej se ju duhet të bisedoni me mjekun nëse keni pasur kollë, temperaturë, vështirësi në frymëmarrje, edhe në rast se simptomat kanë kaluar, e veçanërisht nëse keni udhëtuar së fundmi në zonat e prekura nga koronavirusi.

Ashtu si sëmundjet e tjera të rrugëve të frymëmarrjes, infeksioni nga koronavirusi i ri mund të shkaktojë simptoma të lehta, si ftohje, dhimbje fyti, kollë dhe ethe, ose simptoma më të rënda si pneumoni dhe vështirësi në frymëmarrje. Njerëzit më të ndjeshëm ndaj formave të rënda janë të moshuarit dhe ata me sëmundje ekzistuese, të tilla si diabeti dhe sëmundjet e zemrës.

Analizat për rastet e dyshuara

Ndonëse në vendet fqinje përhapja e koronavirusit po ndodh me ritme të shpejta, të dhënat e raportuara nga laboratori i Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se në vendin tonë nuk ka pasur asnjë rast të identifikuar zyrtarisht si mbartës të këtij virusi. Gjatë mëngjesit të djeshëm ka përfunduar testimi i 2 rasteve të reja të dyshuara, tek qytetarë që kanë pasur histori udhëtimi me Italinë,  analizat e të cilëve kanë rezultuar negative për praninë e koronavirusit të ri. “Janë 31 të testuar, që kanë rezultuar negativ sa i takon prekjes nga koronavirusi i ri”, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme në Kuvend, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirli, teksa ka raportuar në lidhje me masat e deritanishme për përballimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit  në vendin tonë. Në nivel global, deri ditën e djeshme janë raportuar në total 89 068 raste të konfirmuara me koronaviursin e ri, dhe në total 3046 vdekje.

Si ndodh transmetimi?

Koronavirus i ri është një virus i rrugëve të frymëmarrjes që përhapet kryesisht përmes kontaktit të ngushtë me një person të sëmurë. Mënyrat kryesore të përhapjes nga personi i infektuar janë nëpërmjet: pështymës, kollitjes dhe teshtitjes, kontakteve personale të drejtpërdrejta, duarve, për shembull duke prekur me duart e ndotura (ende jo të lara) gojën, hundën apo sytë. Në raste të rralla, infeksioni mund të ndodhë përmes kontaminimit fekal. Zakonisht sëmundjet e frymëmarrjes nuk transmetohen me ushqim, i cili në çdo rast duhet të trajtohet duke respektuar praktikat e mira të higjienës dhe duke shmangur kontaktin midis ushqimit të papërpunuar dhe atij të gatuar. Gjithsesi, ende vazhdojnë studimet për të kuptuar më mirë se si transmetohet ky lloj virusi

Masat e marra nga strukturat tona shëndetësore

Sipas saj, janë forcuar kapacitetet laboratorike për testimin e rasteve potenciale, janë shtuar masat e kontrollit në pikat kufitare, si dhe janë siguruar materialet mbrojtëse dhe stoku i barnave të duhura për të gjitha strukturat mjekësore në vend. “Ne kemi përforcuar aksionet tona në drejtim të kapaciteteve laboratorike për identifikimin e koronavirusit të ri. Janë përcaktuar gjithashtu udhëzuesit si të veprohet për rastet potenciale”, deklaroi ministrja.  Ndërkohë që theksi është vënë sërish tek dyfishimi i masave të marra në pikat kufitare, si dhe është rritur dhe stoku i materialeve mbrojtëse antivirale. “Kemi dyfishuar masat e marra në pikat kufitare. Kemi marrë masa edhe me medikamente. Janë marrë masa në spitalin Infektiv, në spitalin “Shefqet Ndroqi” për të ndjekur rastet. Kemi rritur dhe stokun për medikamentet antivirale që rekomandohen që përdoren në raste të ngjashme të trajtimit të këtij virusi. Kemi shtuar kapacitetet e Urgjencës Kombëtare, ku mund të priten mbi 5000 telefonata në ditë”, vuri në dukje ministrja  Manastirliu. Prej disa ditësh, Komiteti i Ekspertëve ka marrë masat për të vendosur sipas specifikave përkatëse Kavalishencën e Ministrisë së Mbrojtjes ku do vendoset karantinimi i personave të kontaktit nëse do jetë e nevojshme. Duke siguruar se strukturat e shëndetësisë kanë rritur vigjilencën në këtë situatë, Manastirliu ju drejtua qytetarëve të mos kenë panik.

Kujdesi për higjienën

Ekspertët e shëndetit publik vijojnë të vënë theksin tek domosdoshmëria e ruajtjes së higjienës personale dhe asaj respiratore, si një ndër masat më efektive në parandalimin e përhapjes s viruseve të rrezikshme për shëndetin. Personat me simptoma të infeksioneve akute të rrugëve të frymëmarrjes duhet të praktikojnë higjienën respiratore, ruajtjen e distancës, mbulimi me shami kur teshtijnë apo kollitemi, si dhe larjen e duarve dhe mosprekjen e fytyrës me duar. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Task- forca për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri rekomandon të  gjithë qytetarët të cilët vijnë nga rajonet e prekura të vetë karantinohen për një periudhë prej 14 ditësh. Ndërkohë të gjithë qytetarët të cilët kanë udhëtuar në vendet e prekura dhe kanë shenjat e infeksionit viral, temperaturë, kollë dhe sidomos insuficiencë respiratore (vështirësi në frymëmarrje) të telefonojnë në numrin 127 për të marrë udhëzimet se si duhet të veprojnë, pa u drejtuar menjëherë në spital për të minimizuar në këtë mënyrë riskun e infektimit me viruset e tjera respiratore.

Disa këshilla për dhuruesit e gjakut!

  • Nëse mendon se je ekspozuar ndaj koronavirusit të ri, prit të paktën katër javë deri në dhurimin e gjakut.
  • Këshillohuni me mjekun nëse keni udhëtuar në zonat e prekura nga koronavirusi.
  • Gjithashtu duhet të lajmëroni mjekun nëse keni pasur kollë, temperaturë, vështirësi në frymëmarrje, edhe në rast se simptomat kanë kaluar.
  • Kur simptomat shfaqen pas dhurimit të gjakut, duhet të lajmëroni menjëherë shërbimin e transfuzionit në të cilin keni dhuruar gjak.
  • Mbani mend që për të dhuruar gjak duhet të jeni i shëndetshëm. Çka do të thotë se edhe gripi është një motiv përjashtimi.

 

Si të menaxhoni stresin kundrejt koronavirusit të ri!

  • Është normale të ndjeheni të shqetësuar, të hutuar, si dhe të frikësuar gjatë një situate të tillë.
  • Bisedoni me njerëzit që ju besoni. Kontaktoni me miqtë dhe familjarët.
  • Nëse duhet të qëndroni në shtëpi, mbani një stil të shëndetshëm jetese.
  • Mos përdorni duhan, alkool apo substanca të tjera për të përballuar ngarkesën emocionale.
  • Nëse ndjeni që shqetësimi ju mbizotëron, bisedoni me një punonjës shëndetësor.
  • Përgatisni një plan ku mund të shkoni e të kërkoni ndihmë për shëndetin fizik e mendor në rast se një gjë e tillë do të paraqitet e nevojshme.
  • Përdorni burime të besueshme për të marrë informacion, të tilla si agjenci shëndetësore lokale dhe shtetërore.
  • Mundohuni të gjeni tek vetja aftësi që keni përdorur në të kaluarën në situata të vështira, për të përballuar emocionet.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *