Twitter u kërkoi punonjësve të tij që të punojnë nga shtëpia për të ndihmuar kështu në ndalimin e përhapjes së koronavirusit, shkruan BBC.
Në një postim në blogun e vet, gjigandi i mediave sociale sqaroi se ishte e detyrueshme që stafi në Hong Kong, Japoni dhe Korenë e Jugut të punonte në distancë.
Kompania tha gjithashtu se po “ i inkurajon fort” të 5000 punonjësve të saj në të gjithë botën që të ndjekin të njëjtën linjë.
Kjo thirrje vjen një ditë pasi firma ndaloi të gjitha udhëtimet jo-thelbësore të biznesit dhe eventet për punonjësit e saj.
Twitteri e ka njoftuar tashmë se do të tërhiqet nga një konferencë e rëndësishme mediatike që organizohet këtë muaj në Austin, të Teksasit.
Drejtuesja e burimeve njerëzore, Jennifer Christie tha: Qëllimi ynë është të ulim mundësinë e përhapjes së koronavirusit Covid-19 për ne dhe botën përreth nesh.
Postimi theksoi gjithashtu se Twitter ka disa kohë që po krijon mënyra për të punuar nga shtëpia: Ky është një ndryshim i madh për ne, ne tashmë kemi lëvizur drejt një fuqie punëtore më të shpërndarë e që punon dhe nga larg. Ne jemi një shërbim global dhe jemi të përkushtuar që t`ia bëjmë të mundur kujtdo, kudo që ndodhet që të punojë në Twitter.
Shefi ekzekutiv i kompanisë, Jack Dorsey e mbështet idenë e punës në distancë dhe në nëntor njoftoi planet për të jetuar në Afrikë deri në gjashtë muaj këtë vit.
Kjo masë është e ngjashme me ato të marra nga mjaft ndërmarrje në Azi për shkak të virusit, por shkon përtej lëvizjeve të bëra nga shumica e bizneseve të mëdha amerikane, si reagim ndaj shpërthimit të epidemisë.
Kompani të tjera kryesore të teknologjisë, përfshirë Facebook dhe Google, kanë shtyrë ose anuluar konferencat në SHBA.
Edhe stafi i degës së Google në Dublin, do të punojë nga shtëpia të martën, por shumica e punonjësve të mërkurën pritet të rikthehen në zyrë.
j.l./ dita
