Koncesionet do të shtrihen edhe në sektorin shëndetësor. Duke parë problematikat me të cilat janë përballur pacientët shqiptarë në marrjen e kujdesit mjekësor, Ministria e Shëndetësisë po planifikon kalimin e një sërë shërbimeve spitalore me koncesion. Konfirmimi është bërë gjatë ditës së djeshme nga vetë ministri Ilir Beqaj gjatë raportimit të bërë në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Ministri Beqaj ka theksuar para përfaqësuesve të komisionit se synojmë të japim me koncesion shërbimin e koronografisë, shërbimin e imazherisë dhe shërbimin e dializës, si dhe një pjesë të kontrolleve që do të bëhen falas për grupmoshat 45-60 vjeç. Nismë kjo e cila do të sigurojë një shërbim më të mirë dhe pa kosto në buxhetin e shtetit, teksa në këtë formë parashikohet që të rriten edhe investimet si dhe njëkohësisht cilësia e shërbimit ndaj pacientit. “Do të realizohet pranë qendrave publike shëndetësore nga mjekët dhe infermierët tanë, por i gjithë investimi fillestar dhe gjithë administrimi i logjistikës do të realizohet nga një partner jopublik”, ka theksuar Beqaj. Lidhur me shqetësimet e ngritura mbi kostot e mundshme, ministri Beqaj ka nënvizuar se kundrejt dhënies së këtyre shërbimeve me koncesion pacienti nuk do të paguajë asgjë, pasi gjithçka do të mbulohet nga buxheti i shtetit apo Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor. “Janë tarifa që do të paguhen nga buxheti i shëndetësisë. Nuk do të ketë asnjë lloj tarife për qytetarët, qofshin këta të siguruar apo jo”, shtoi ministri Beqaj. Më tej ai ka deklaruar se parashikohet që të shtohen edhe tre qendrave të reja shëndetësore ku mund të ofrohet shërbimi i dializës për pacientët si Korçë, Lezhë dhe Vlorë nëpërmjet partneritetit publik-privat. Ndërkohë që për pacientët nga qyteti i largët i Tropojës, apo qytete të tjera që e kanë më të lehtë të marrin këtë shërbim në Gjakovë, Fondi i Sigurimeve do të marrë përsipër mbulimin e shpenzimeve financiare për çdo shërbim të marrë në spitalin e Gjakovës nga këta pacientë.
