Korriku i nxehtë i Vettingut, çfarë ka ndodhur këtë muaj në sistem

Elena Tase

Dy organet e Vettingut, Komisioni i Vlerësimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit kanë kryer rreth 40 seanca në muajin korrik.

Në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit janë rrëzuar këtë javë dy kandidatë për Gjykatën e re Kushtetuese.

Të enjten u shkarkua gjyqtari Ilir Mustafaj, ndërkohë që të njëjtin fat ka pësuar një ditë më pas edhe kandidatja tjetër Anila Guri Kristani.

Ashtu si dhe kolegu i saj Ilir Mustafaj, Guri, nuk arriti të kalonte testin e pasurisë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arriti në përfundimin se ajo nuk justifikonte me burime të ligjshme financiare pasuritë familjare, përfundimin në të cilin kishte arritur më herët edhe Inspektorati i Lartë i deklarimit të Pasurive.

Të premten i është nënshtruar Vetting-ut kandidati për postin e Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela, i cili është në pritje të vendimit të Komisionit që do jepet javës tjetër.

Sa i përket Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, zhvillimi më i rëndësishëm ka qenë ai i Kreut të Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, i cili, u detyrua të paraqitej në apelin e Vetting-ut pasi u konfirmua në detyrë verën e shkuar.

Vendimi për konfirmimin e tij nuk bindi ONM-në dhe Komisionerin publik, sipas të cilëve, hetimi ndaj pasurisë së Kreut të Gjykatës së Lartë kishte qenë i paplotë dhe jo shterues.

Vendimi përfundimtar për Zaganjorin do të jepet më 26 korrik.

Artan Broci, një tjetër emër nga Gjykata e Lartë del në korrik përpara trupës së apelit. Në të kundërt të Zaganjorit, Broci i është drejtuar vetë Apelit për të rrëzuar vendimin e shkallës së parë, i cili e shkarkoi nga detyra.

Gentjan Osmani, anëtar i Këshilli të Lartë të Prokurorisë dhe ish prokuror i dosjes Tahiri, gjithashtu nisi këtë korrik procesin e apelimit.

Edhe në rastin e Osmanit ishte ONM dhe Komisioneri Publik që ankimuan konfirmimin e tij në detyrë nga shkalla e parë, duke kërkuar hetim më të thellë për burimet financiare të familjes së tij.

Alma Brati, ish kandidate e Këshilli të Lartë Gjyqësor humbi këtë muaj betejën ndaj Komisionerit Publik, duke u shkarkuar nga detyra.

Ishte një prej emrave të parë që kaloi me sukses shkallën e parë të Vetting-ut verën e shkuar.

Dritan Rreshka, ish Kreu i Prokurorsë së Tiranës është emri tjetër me peshë në sistem që humbi përfundimisht në apel betejën me Vetting-un.

Ndërkohë ka nisur po këtë muaj përballjen në shkallën e dytë të Vetting-ut edhe Artur Malaj, kandidat për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.

e.t./dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *