Korrupsion me provimet, në gjyq 2 pedagogët

redaktor

Prokuroria e Durrësit ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të dy pedagogëve të universitetit “Aleksandër Moisiu” të akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre, e dy studenteve të akuzuara për ryshfet. Odeta Tota, 41 vjeçe dyshohet se e ka kryer 3 herë veprën e korrupsionit dhe Endrit Sina, 33 vjeç, 2 herë. Kurse studentet Merushe Boçerri, 40 vjeçe dhe

Melsa Doçi, 24 vjeçe, akuzohen se kanë kryer rolin e sekserëve në dy raste secila të dokumentuara, duke ushtruar ndikim të paligjshëm tek pedagogët.

Prokuroria e nisi procedimin penal më 8 nëntor 2013, menjëherë pas denoncimit të një studenteje që e akuzonte pedagogen Odeta Tota se i ka kërkuar 15 mijë lekë për të kaluar provimin. Denoncuesja ndiqte Fakultetin e Studimeve Profesionale në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, dhe dëshmoi se në muajin shtator, gjatë provimeve të vjeshtës, pedagogia e Kimisë, pak minuta para se të hynte në provim i ka kërkuar dhe marrë për shkak të detyrës një përfitim të paligjshëm në vlerën e mësipërme për notë kaluese. “Lektore Odeta Tota, pasi ka marrë përfitimin e paligjshëm, i ka dhënë të fotografuar tezën e provimit, e cila është fotografuar nga studentja me aparatin e saj “, thuhet në dosjen e organit të akuzës. Tota ka nisur punë si pedagoge në këtë universitet prej 1 janarit 2008, për lëndët Kimi, Biokimi, e Drejtë Mjedisi dhe Shëndet Mjedisor. “Duke qenë se kishte dyshime të bazuara, është marrë leje në gjykatë për të përgjuar të dyshuarën në telefon dhe atyre ambientale, në universitet apo në zyrë”, thekson prokuroria. Këtu është zbuluar se Tota komunikonte me Merushe Boçerrin, e cila ishte studente ne vitin e dytë për Infermieri, në sistemin Part-Time. Dhe njëkohësisht bënte sekserin duke mbledhur lekët nga studentët e tjerë. Shumat varionin nga 20-25 mijë lekë. Më tej u zbulua se kishte edhe një studente të dytë, Melsa Doçi, që bënte të njëjtën punë.

Në këto hetime speciale ka dalë edhe përfshirja e pedagogut Endrit Sina, i cili është lektor në Universitetin “Aleksandër Moisiu” dhe në të njëjtën zyrë me Odeta Totën, të cilët ndikonin tek njëri-tjetri dhe merrnin përfitime te paligjshme për shkak të detyrës së tyre. “Në këtë mënyrë është kërkuar zgjatja e hetimeve dhe përgjimeve edhe të Sinës në bisedat telefonike, duke gjetur fakte të reja”, thotë prokuroria.

Prokuroria ka dokumentuar të paktën 5 raste të korrupsionit të dy pedagogëve me tezat e provimit dhe notat kaluese në semestre apo provimet e vjeshtës. Madje sipas prokurorisë, pedagogu Sina i kishte lënë akses studentes së tij Doçi, banuese në Shkozet që të kishte të gjitha tezat, çelësat e zgjidhjeve të tyre dhe lap-topin për të rakorduar pikët e studentëve që paguanin.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *