Politikanë të korruptuar, të vjetër dhe të rinj, si dhe evazorët fiskalë në Greqi i kanë ditët e numëruara. Të paktën ky është zotimi i kryeministrit Antonis Samaras në këtë fillim të vitit, i cili ka përdorur terma të fortë kundër fenomenit të korrupsionit. “Pandëshkueshmëria do të përfundojë. Kush mendon të vazhdojë me veset e vjetra antiligjore duhet ta dijë se tashmë e pret ashpërsia e ligjit dhe e drejtësisë”, kërcënoi Samaras, duke i dhënë shkas gazetave të Athinës që të shkruanin se më në fund edhe në Greqi ka nisur operacioni “duart e pastra”.
Mbase duhet të jetë një koincidencë, pork lima ka ndryshuar, aq sa Banka Qendrore e vendit njoftoi në muajin Nëntor se depozitat e institucioneve të kreditit vijuan rritjen duke kaluar në 155,9 miliardë euro, nga 155,2 miliardë të muajit Tetor. Edhe deficiti buxhetor në vitin 2012 do të jetë gjysëm pike përqindjeje më pak se parashikimi, jo aq për të ardhurat nga tatim-taksat, që pësuan rënie, sesa për shkurtimet e konsiderueshme të shpenzimeve qeveritare.
Lufta kundër korrupsionit mori shkas nga rasti I ish-ministrit të Financave, socialistit Georgos Papaconstantinou, I cili po hetohet nga një komision parlamentar për një manipulim të mundshëm të të ashtuquajturës “Lista Lagarde”, nga e cila janë fshirë emrat e disa familjarëve të tij. Ndërkohë, mësohet se drejtësia do të nisë së shpejti hetimet, për emrat e rreth 54 mijë grekëve, të cilët kanë llogari bankare jashtë vendit dhe ndaj të cilëve ka hije të mëdha dyshimesh për evasion fiskal. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe për klientët grekë të disa bankave ne Lihtenshtajn dhe Luksemburg, si dhe pë rata që së fundi kanë blerë pasuri të patundshme në Londër.