‘Korrupsion’, është një fjalë që ka lindur bashkë me ‘demokracinë’. I është motërzuar qysh prej sa nisi udhë qeverisja e parë pas marsit `92; dhe është pranuar e përligjur si një e metë e vockël e sistemit të ri, madje pjesë e pandashme e saj. “Korrupsion ka dhe në Amerikë”, ishte shprehja e atypëratyshme nëse ndokush shenjonte për keq kohët e reja që kishin ardhur. Në periudhën komuniste, fjala ‘korrupsion’ nuk ishte në përdorim, pikërisht ngaqë nuk ekzistonte si fenomen, e ai që mund ta citonte, nga diku e kish huazuar e për këtë arsye, mbahej për njeri që thoshte fjalë të mëdha.
Korrupsion jo, por vjedhje jo pak ka patur dhe në atë kohë, që ishin disapërmasore: vidheshin kavanoza reçeli ose llokume në ndërmarje ushqimore; në një qytet ishte shndërruar në legjendë urbane përfolja se një polic ishte kapur natën duke vjedhur petulla në një punishte, të cilat i kapte nga dritarja me ndihmën e bajonetës së pushkës; thuhej se vidheshin brekë nga ana e punëtorëve në kombinatet tekstile; vidhej në kooperativa e kudo ku ishte e mundur, por kishte dhe vjedhje kinkalerish apo dyqanesh natën. Sakaq, ishte dhe figura e ‘magazinierit’ që identifikohej në atë kohë me njeriun e shkathët, dhelpërak e dobiç, që çoç nxirrte ca përfitime materiale përveç rrogës.
Këto ishin pak a shumë konturet e ‘korrupsionit’ apo ‘abuzivizmit’ në atë kohë, që ishin thjesht akte hajdutërie të rëndomta. Afër mesit të viteve `80, në Kinemaja Shqiptare e Kinostudios, nisi realizimin e një sërë filmash me tema sociale, që i përgjigjeshin çdo fenomeni në përditshmëri, që kishte dhe tendenca përhapjeje. Një nga ato filma, ishte dhe “Hije që mbeten pas” me skenar të Diana Çulit dhe Esat Musliut e me regji të këtij të fundit. Ishte i pari film ku portretizohej një familje e korruptuar në gjysmën e saj, e përballë tyre vihej jo thjesht një familje e ndershme, por dhe një gjykatës model. Ishte i pari film, ku regjimi jepte “leje” për divorc, mjaft që shoqëria mos bëhej preh e të korruptuarve.
Adnan Kodra, imazhi i të cilit jep menjëherë idenë e një burri babaxhan, por hipokrit, është ideatori dhe realizuesi i një stili jete që binte në kontrast të thellë me atë dominuesen, modesten. Në shtëpinë e tij, ka hapësira të pazakonta, arredime të fryra e sende luksi; por dhe sherr e shamatë. Ka dhe një manjetofon, prej nga ku dalin tinguj të Bethovenit në versionin modern. Ka lindur për të qenë drejtor dhe gëzon privilegjin të dalë herëpashere jashtë shtetit. Në krah si vetja, ka kunatin, Rustemin, jo aq inteligjent sa ai, madje pak kokëtrashë e të pasjellshëm, e pa asnjë lloj cipe. Urren të virtytshmen tek njeriu dhe duket se në vend të kokës, ka barkun për të menduar.
Më pranë tyre në moralin e mbrapshtë, është e bija, Marjeta, e cila ka fatin të jetë e dashuruar me Agronin, një gjykatës, njeri i thjeshtë, i mençur dhe simpatik, por që me një moral të qelibartë që nuk i përgjigjej vicklave të saj prej një të llastuare me të mira. Famija e Agronit, është modeli i një familje të ndershme, me babanë e Agronit pedagog, mamanë edukatore, dhe të motrën, e cila nuk heziton të shkojë jashtë Tiranë pas diplomimit, për të punuar në Metarlulgjik. Në këtë familje, gjithçka ishte siç e donte partia.
Askush i dalë nga rreshti. Ndërsa tek familja Kodra, kishte më ngjyrime njerëzore: e shoqja e Adnanit ishte një shtëpiake normale, gati e paditur për punët e mbrapshta të t`shoqit; Benit i pëlqente të ishte pak djalë i kohës, por rebelohej ndaj të atit dhe moralit plot cene në tij, ndërsa Astriti, i cili jo më kot gjatë filmit shfaqet me një kostum të thjeshtë, ishte vetë thjeshtësia e ndershmëria. Ai jo vetëm që nuk i bindet të atit, por pranon të largohet i përzënë nga shtëpia, mjaft që të ruajë të pacenuar dinjitetin e tij. Situata agravohet kur krahas daljes në dritë të fakteve të një vjedhjeje të shtetit që realizonte prej finoku Adnani, e që e vë në pozitë të ngushtë Agronin si gjykatës, ishte dhe e fejuara e tij që jepte shenjat e një fëmije të nxjerrë prej hundësh nga i ati.
Dhe më torturuese situatën e bënte dashuria mes tyre. Dhe është kjo dashuri që e ushqen me shpresë Agronin, se ose dyshimet për të vjehrrin si të korruptuar nuk ishin të vërteta, ose se e bija, e fejuara e tij nuk do ishte si ati, e do i qëndronte në krah Agronit duke marrë në jetën kahjen e virtyteve të tij. Por nuk ndodh kështu. Vjen një moment dhe personazhet pozicionohen me të vërtetat e tyre lakuriqe, për mirë e për keq. Moment kulmor i filmit është një dialog në errësirën e natës mes Agronit dhe Marjetës, kur kjo e fundit tenton ta blejë dhe me një shuk parash. Pas këtij momenti, Agroni vendos të bëjë një apologji morale të dilemës mes dashurisë dhe të vërtetës së hidhur, duke sakrifkuar dashurinë për moralin. Episodi më simbolik, është hedhja në ujin e shatërvanit të një çakmaku të dhuruar nga i vjehrri, duke zgjedhur të ndez cigaren tek një njeri anonim në rrugë. Mesazhi, si një lloj recete anti-korrupsion për çdokënd, ishte: Agroni u josh nga dy forca me efekt djallëzor, siç ishte dashuria dhe paraja, e megjithatë rezistoi e ngadhnjeu me moralin e ndërgjegjen e lartë ndaj vetes, familjes e shoqërisë. Pyetja është: a vlen dhe për kohët e sotme një film i tillë me mesazhin që bart?! Kam përshtypjen se ky film përfshin të gjithë kategoritë; dhe po aq sa i ka përshirë dhe në atë kohë, pasi padyshim dhe atëherë, ka patur nga ata që i kanë nxjerrë gjuhën personazhit në fjalë.
Filmi tjetër është “Të mos heshtësh” me regji të Spartak Pecanit dhe skenar të Nexhati Tafës. Në qendër të filmit është Silvi, një nënpunëse banke, së cilës i vdes bashkëshorti në një aksident rrugor. Në përpjekje për t`i dhënë një kuptim të ri jetës, ajo molepset, fillimisht në një partneritet të afërt profesional e shoqëror, e më pas dhe shpirtëror, me drejtorin e saj, Adin, tip i mashkullit autoritar, me pjacë të lartë pretendimesh për jetën gjersa nuk ishte martuar ende, por që në një situatë të caktuar, nxjerr kokën: kishte zbatuar një skemë mashtrimi banke, duke përvetësuar një shumë të madhe parash. Pretendon se do e bëj për vete Silvin, duke i treguar shtëpinë e re në ndërtim e sipër, si dhe shumën që dispononte për të ardhmen. Luan kartën e një dashurie të çmendur pas saj, për të cilën ja vlente dhe të vidhte shtetin, por Silvi, edhe pse me barrën e një dhimbjeje siç ishte vdekja e të shoqit, edhe me barrën e zhgënjimit prej Edit dhe për më tepër ballafaqimit me një hajdut të regjur, vendos të mos dorëzohet dhe të luftojë me çdo çmim kundër së keqes. Ajo gati jep shpirt në duart e Edit, i cili e shtrëngon për fyti, por arrin t`i shpëtojë nga duart. Fundi nuk është një happy end për Silvin, por për moralin. Risitë regjisoriale në dy filma, janë: tek “Hije që mbeten pas”, përfshirja për herë të parë e Nastradinit dhe e një meseleje të tij; tek “Të mos heshtësh”, një situatë ‘action’ në fund me kacafytje e tentativë vrasjeje mes një mashkulli e një femre, në një film me temë sociale.

Kaq shume po vuajme per te gjetur shembuj korruspioni te sotem sa po i turremi te zhbirrojme filma te socializmit per te justifikuar ‘vertete’ se e kemi pasur bashkeshoqerues si ‘ves’ te hershem ?!
Korrupsion ka kudo.Por jo si i yni.Me troc: Nese andej mga ato anet e Amerikes a Evropes eshte nje maje gejmbi ne shpute ketu tek ne eshte nje hu qe na hyn nga poshte larte e na mbetet vetem per t’u pjekur.
Po tek gazetaret ka korrupsion?!…
Ka more,ka,dhe madje lubrifikohen me vaj 10-50 ose 10-30 sipas stineve.Madje keta na e prishin me shume terezine neve qe nuk jemi shume te ‘skolisur’ me analizat e shenimet qe na bejne:Here na yshtin si qete ne ugar e here na ulin ‘kakerimat’ me ca therrime si pulat.Ata avazin dhe ne avazin.Ne bejme veze,ata kendojne si kendeza dhe te korruptuarit i kollofisin te fresketa qe ne mengjez per te pasur ze te bukur…
Filma?!Jo realitet!!!
Po te kishte halla voj kishte bere petlla me korrupsion sa te hanin breza te tere…