LETRA E PUNËTORËVE TË FABRIKËS “ARPI”
I nderuar Zoti Kryeministër, të nderuar Zotërinj ministra.
Të mbyllësh fabrikat e vendit tënd është një veprim i paprecedent, të mbyllësh fabrikën e certifikuar nga BE-ja që punon vetëm për eksport ku punojnë qindra familje, ku stampohet në 21 gjuhë marka “Made in Albania” tashmë më e famshmja në Europë në specialitet është një krim ndaj vendit.
Kryetari i Autoritetit të Eksporteve pranë Ministrisë së Mbrojtjes AKSHE, Z. Engjëllush Bekteshi, mban të mbyllur fabrikën prej 6 muajsh, mban të bllokuar eksportin dhe importin e lëndës së parë vetëm se është denoncuar për korrupsion nga ana e shoqërisë.
Urdhrat e ish-ministres së Mbrojtjes, Zonjës Xhaçka, për hapjen e fabrikës dhe të eksport-importit të lëndës së parë, ndërhyrjet e vazhdueshme të ministrit të Shtetit Z. Shalsi në favor të biznesit dhe të ligjeve nuk janë zbatuar nga kryetari i autoritetit AKSHE, i cili me veprimet e tij të paligjshme e në dëm të biznesit, pretendon se është i paprekshëm dhe ka mbështetjen tuaj Z. Kryeministër.
Mbyllja e fabrikës piroteknike numër 1 të Europës në specialitet, fabrika me prezentuese që ka pasur ndonjëherë Shqipëria në arenën ndërkombëtare me mallrat e saj të certifikuara CE nga Autoriteti i Këshillit të Europës është një dëm i madh ndaj familjeve tona, ndaj investimeve të emigracionit, ndaj ekonomisë shqiptare dhe jo vetëm kaq, por mohimi i eksportit të markës shqiptare, më cilësorja në tregun europian, është një veprim antikombëtar.
Zoti Kryeministër, mos na vrisni shpresat për një vend pune në Shqipëri, mos vrisni shpresat e investitorëve, sidomos të emigrantëve, kur ju keni premtuar mbrojte me qëllim hapjen e vendeve të punës dhe jo mbylljen, për më tepër të certifikuara e të kontrolluara nga organet e BE-së.
Kolektivi i fabrikës “ARPI sh.p.k.” me prodhimet e saj të cilësisë së lartë perëndimore, mbi të cilat është skalitur emri i Shqipërisë duke u shpërndarë në mbarë Europën, meriton respekt e mbrojtje nga sulmet e egra të një nëpunësi të korruptuar. Zoti Kryeministër, zotërinj ministra, kërkojmë urgjentisht ndihmën tuaj, kërkojmë vetëm të na mbroni nga korrupsioni dhe veprimet e paligjshme të kryetarit të paprekshëm të autoritetit AKSHE, kërkojmë vetëm të na lejoni të zbatojmë me korrektësi ligjet e Republikës së Shqipërisë dhe standardet e BE-së dhe asgjë më tepër.

o.j/dita
