Në Gjermani opinioni është i indinjuar nga akuzat për korrupsion në radhët e mjekëve. Megjithatë Gjermania ka mekanizma të mirë kontrolli në sistemin shëndetësor
Një mjek në Gjermani nuk kryen vepër penale nëse pranon dhurata nga depot farmaceutike. Sipas urdhrit të mjekut në Gjermani, vërtet është e ndaluar të pranohen dhurata në këmbim të një shërbimi, por shumë rrallë ndodh që çështje të tilla të çohen para gjykatës profesionale.
Megjithatë, në krahasim me vende të tjera, sistemi shëndetësor gjerman ka mekanizma të mirë kontrolli. Në vende ku mjekët janë kronikisht të paguar keq, korrupsioni është në rend të ditës, dhe i prek të sëmurët në mënyrë direkte: Në Zimbabve p.sh. vdesin pacientë, të cilët nuk mund të paguajnë vetë për operacione të nevojshme; në Ugandë mjekët e shtojnë rrogën e tyre duke shpërndarë barna të lira, dhe Kroacia po përjeton aktualisht një skandal me barna, në të cilin janë përfshirë më shumë se 300 mjekë dhe ka pasur rreth 30 arrestime.
Korrupsion i përhapur në Zimbabve
Just Butenop ka punuar si mjek ndër të tjera në Zimbabve, Pakistan dhe Malajzi. Në indeksin aktual për perceptimin e korrupsionit të “Transparency International”, një organizatë globale antikorrupsion, Gjermania ndodhet në vend të 13-të, Zimbabve në vend të 163-të nga 174 gjithsej.
“Vetëm sistemi mund të akuzohet, jo mjekët e veçantë”, thotë Butenop. “Kur mjekët dhe infermierët nuk paguhen rregullisht, por megjithatë paraqiten në punë, duan natyrisht të sigurojnë të ardhurat dhe atëherë, marrin para nga pacientët.”
Përpara një operacioni në Zimbabve familja e pacientit duhet të blejë jo vetëm barna, por edhe aparate infuzioni, mjete dezinfektimi dhe bisturi, tregon Butentop. Kush nuk i ka mjetet e nevojshme financiare, nuk i nënshtrohet operacionit me rëndësi jetike. Paratë e parashikuara për sektorin e shëndetësisë devijohen nga qeveria në kanale të tjera.
Korrupsioni dhe ndikimi nga industria farmaceutike nuk janë temë. Sipas Butenop ka një arsye logjike pse mjekët në vendet në zhvillim nuk marrin para nga firmat farmaceutike: “Grupi i synuar është kaq i vogël pasi konsumatori final e paguan me para në dorë ilaçin. Nuk besoj se industria farmaceutike sheh tek mjekët një treg tërheqës shitjeje”. Pacientët thjesht nuk janë në gjendje t’i blejnë ilaçet e shtrenjta. Pra edhe nëse mjekët do t’ua rekomandonin ato barna në këmbim të dhuratave, që marrin nga firmat farmaceutike, pacientët do të shkonin të blinin sidoqoftë alternativa të lira, pa emra marke.
Medikamente të lira si masë për kursim
E ngjashme është situata në Ugandë: “Problemi më i madh qëndron në ofrimin e një kujdesi mjekësor”, thotë Vaida Moses nga “Transparency” në Ugandë. “Personeli nuk ofron shërbimin që duhet të japë. “Mjekët dhe infermierët sipas raportit të Transparency-t për Ugandën 2012, thjesht nuk paraqiten në punë me orë të tëra për shkak se nuk paguhen. Edhe kur janë të pranishëm, nuk u japin pacientëve medikamentet e duhura ose u japin preparate të lira që nuk kanë efekt, për të siguruar kështu fitime: “Njerëzit që janë përgjegjës për blerjen e barnave injorojnë këshillat se cilat preparate duhet të blejnë dhe çfarë sasie”, thotë Moses. “Mjekët përgjegjës blejnë barna të këqija pasi paratë që mbeten, duan t’i fusin në xhepat e tyre.”
Për të luftuar korrupsionin TI në Ugandë trajnon vullnetarë si Moses, të cilët duhet të kujdesen që mjekët t’u japin pacientëve ilaçet e duhura dhe informacion të saktë. Veç kësaj, ata bashkëpunojnë me politikanët lokalë dhe kanë themeluar komitete, të cilët kontrollojnë dhe protokollojnë lëvrimin e barnave.
Zbulimi i skandalit të mitmarrjes në Kroaci
Dhe Evropa Juglindore po përjeton një skandal të ngjashëm me atë në Gjermani: Në Kroaci rreth 350 mjekë për vite me radhë u kanë dhënë pacientëve me prioritet receta për barna të prodhuesit farmaceutik “Farmal”. Sipas informacioneve nga media kroate, janë arrestuar të gjithë pjesëtarët e bordit drejtues dhe departamentit të shitjes në firmën “Farmal”. Kjo firmë ka lidhje të ngushta edhe në Gjermani: 95 për qind e Farmalit i përket prodhuesit bavarez të barnave Dermapharm. Përpjekjet për të marrë prononcim nga Dermapharm, rezultuan pa sukses si në kohën e ngritjes së akuzës, ashtu edhe në javën e parë të janarit.