Qyteti ka një traditë të gjatë multikulturore. Ai ka probleme të konsiderueshme. Tani do t’i jepet formë së ardhmes, sepse në 2013-n Koshice është njëri prej kryeqyteteve kulturore të Evropës.
Klientët e hotelit “Golden Royal” duhet të përdorin hyrjen e pasme. Rruga dhe trotuari para hyrjes kryesore janë zhdukur, e tërë vija është kthyer në një kantier të madh ndërtimi (automjete të rënda, kabllo, tuba, pirgje zhavorri). Koshice, qyteti i madh në lindje të Sllovakisë, po hijeshohet. Ai është vlerësuar për 2013-n si kryeqytet kulturor i Evropës dhe me këtë rast do të hidhet para e madhe. 60 milionë vijnë vetëm nga Bashkimi Evropian.
Si rrjedhojë ka rrugë dhe sheshe të reja, lulishte dhe natyrisht, projekte. Projekte të vogla, të decentralizuara dhe jo të mëdha, futuriste si zgjerimi i një kazerme tanimë të papërdorshme në një qendër kulture e krijimtarie ose kthimi i një pishine të prishur në një sallë multifunksionale arti.
Mundet që askush të mos besojë aktualisht në përfundimin e punimeve brenda afatit. “Nuk ka gjë”, thotë Jan Suxhina, drejtor i shoqërisë për përgatitjen e projekteve të kryeqytetit kulturor. Në fund të fundit, thotë ai, në 2013-n nuk do të zhvillohet festival. Më tepër po punohet për transformimin afatgjatë të Koshices nga një qytet i kohës passocialiste në një qytet modern. Konkretisht kjo do të thotë: Koshice e shfrytëzon vitin si kryeqytet kulture evropiane dhe avantazhet e lidhura me këtë, si paratë dhe vëmendja, për t’u transformuar rrënjësisht.
Plane të mëdha
Sikur gjithçka të vejë sipas planit, brenda një kohe jo shumë të largët qyteti do të bëjë përpara duke u kthyer në një platformë të bashkëpunimit krijues të sipërmarrjeve me artistë në rajonin e Sllovakisë lindore. Atëherë këtu do të lindë një qendër e prodhimit artistik dhe industrial, e Koshice nuk mund të anashkalohet.
Sot Koshice nuk arrihet lehtë. Me autobus, tren apo me makinë koha e udhëtimit është e gjatë (500 kilometra janë nga Varshava, 1.140 nga Berlini, 1.550 nga Brukseli. Dhe lidhje fluturimi të drejtpërdrejta ka vetëm për Vjenë, Bratislavë dhe Pragë. “Aeroporti ynë kryesor”, thotë Iveta Ninajova e shoqatës turistike “Vizito Koshicen”, është Budapesti në Hungari, tri orë udhëtim me tren.
Koshice duhet të ketë qenë dikur një qytet i lulëzuar dhe i pasur. Për këtë dëshmojnë katedralja e madhe e Elisabetës në stilin e artit të vonët gotik, teatri historik nga fundi i shekullit XIX dhe gjithë ndërtesat madhështore në pjesën e vjetër të qytetit, të cilat u kanë mbijetuar dy luftërave botërore. Lulëzimin e vet qyteti ia detyron pozicionit në një rrugë tregtare dhe kolonëve gjermanë, të cilët lanë gjurmën e tyre në “Kasçau”, siç e quanin ata. Koshice ka qenë për dekada një nga qytetet më të mëdha e të rëndësishme të Mbretërisë së Hungarisë.