Nacionalizmi i vonuar i Berishës aq i prish aq i rregullon gjë punë Kosovës. Nuk varen këto gjëra nga Berisha dhe në Kosovë e dinë mirë. Ata që mund të gënjehehen janë pjesa rurale e painformuar e shoqërisë, të tjerët e njohin Saliun e Shqipërisë boll mirë që nga koha e thyerjes së embargos së naftës ndaj ish-Jugosllavisë.
Aktualisht Kosova ka mbërritur në një kryqëzim me disa mundësi zgjidhjeje, varësisht nga qëndrimi euro-amerikan. Koniunkturat ndërkombëtare mbeten akoma të tilla që, me sa duket, Kosova do të vazhdojë të ecë me zvarritje edhe për një kohë të pacaktuar. BE-ja mbetet e fragmentuar ndërsa akoma pesë shtete të saj nuk e kanë njohur pavarësinë. SHBA-ve ju intereson stabiliteti në rajon dhe mos krijimi i precedentëve që mund ndikojnë në prishjen e ekuilibrave në pjesë të tjera të Globit. Nga ana e saj Rusia vazhdon të mbetet në qëndrimin statik në favor të Serbisë.
Situata e brendshme politike nuk është shumë favorizuese për të kapërcyer problemet madhore me të cilat ndeshet Kosova. Kemi një Qeveri të dalë nga zgjedhje të diskutueshme dhe të mbështetur nga një koalicion pa bazament të fortë, gjë që e detyron atë të bëjë koncesione të shumta për të ruajtur numrat në Kuvend. Këtë situatë e rëndon riaktivizimi, kohët e fundit, i disa faktorëve relativisht të vjetër për të kriminalizuar luftën e UÇK-së dhe, nëpërmjet saj, për të mbajtur peng disa nga protagonistët kryesorë të politikës së sotme kosovare.
Email nga adresa: [email protected]