Paralajmërimin e ka dhënë vetë kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në prag të përvjetorit të pestë të pavarësimit të Kosovës. Sipas shefit të qeverisë, procesi i dialogut po sjell rezultate të cilat e bënë atë, që të nxjerrë një konkluzion të tillë. “Në këtë 5-vjetor jemi në një proces pozitiv, atë të përmbylljes së konfliktit një shekullor mes Kosovës dhe Serbisë, pra në një proces të normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore, Kosovë-Serbi”, tha Thaçi të enjten paradite. Nën moderimin e Brukselit, Prishtina dhe Beogradi kanë hyrë në bisedime, që kanë për qëllim lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve të të dyja vendeve, pa paragjykuar statusin e Kosovës. Mirëpo në mbledhjen e qeverisë të enjten, kryeministri Thaçi tha se njohja e pavarësisë megjithatë është rezultati përfundimtar i dialogut Kosovë – Serbi, të cilin e pret Prishtina zyrtare. Dhe si rrjedhojë, siç tha ai, edhe Kosova do të veprojë në reciprocitet karshi Serbisë, në procesin e dialogut politik. “Një proces ky për të cilin duam të besojmë se nën udhëheqjen e BE-së, dhe mbështetjen e fuqishme të SHBA-së, do të përmbyllet me njohje reciproke, pra të shtetit të Serbisë për Kosovën dhe shteti i Kosovës që do ta njohë Serbinë, dhe do të kemi një rajon të evropianizuar”, tha ai. Ndërkaq, në Beograd, analistët politikë thonë se deklarata e shefit të qeverisë në Prishtinë, nuk dallon shumë nga fjalori i zyrtarëve serbë. Predrag Simiç, profesor i shkencave politike në Universitetin e Beogradit, tha për Radion Evropa e Lirë, se edhe burrështetasit serbë duan t’i japin fund konfliktit serbo-shqiptar. Por, ai nuk beson se zgjidhja mund të arrihet këtë vit. “Pavarësisht nga ajo që zyrtarët serbë edhe më tutje insistojnë se nuk do ta njohin Kosovën, mendoj se nga cilësia e zgjidhjes, që synojnë këto negociata, do të varet edhe situata për të cilën do të vendoset në Beograd. Kështu që mendoj se në këtë kohë, është herët të flitet, edhe pse e kuptoj që shefi i qeverisë së Kosovës flet për këtë zgjidhje në këtë kohë. Por, kolegët e tij në Beograd, janë në një situatë krejt tjetër, sepse ata tek tani duhet të arrijnë deri tek disa zgjidhje, të cilat janë në tavolinën [negociuese] në Bruksel”, tha ai. Shefi i Qeverisë së Kosovës pritet të takohet gjatë javës së ardhshme, më 19 shkurt, me homologun e tij serb, Ivica Daçiç, në Bruksel.
Në tavolinën e bisedimeve, është paralajmëruar të jetë zgjidhja e çështjes së institucioneve që ka Serbia në pjesën veriore të Kosovës.
Këto struktura shihen nga Prishtina zyrtare si ilegale, dhe nuk njihet autoriteti i tyre.
Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton para takimit, ka përshëndetur kurajën e kryeministrave Thaçi e Daçiq, e cila solli në zbatimin e marrëveshjeve për menaxhimin e integruar të kufirit Kosovë-Serbi dhe shkëmbimin e zyrtarëve ndërlidhës. / REL