Nëse ka një vend ku ligji për zgjedhjet duhet ndryshuar, ai është Kosova. Konfiguracioni politik, ku partitë nuk janë të vendosura qartë në spektër dhe të paktën katër prej tyre kalojnë në mbi 10% të votave, siç kam shpjeguar në një shkrim të mëparshëm, është shumë problematik. Kjo gjë u vërtetua në mënyrën më të mirë në zgjedhjet e 3 Nëntorit ku shumica dërrmuese e komunave, përfshirë edhe Prishtinën, kaluan në balotazh. Pas katër javësh në rreth 70% të njësive vendore, përfshirë të gjitha komunat kryesore në Kosovë, që kanë mbi 85% të popullsisë, do të votohet sërish për të zgjedhur kryetarët. Praktikisht e gjithë popullsia në Kosovë do të shkojë sërish në zgjedhje për kryetarëte njësive vendore. Votimi me një raund, i modelit që ka sot Shqipëria, në zgjedhjet vendore, ku fitues shpallet kandidati që ka grumbulluar më shumë vota, pavarsisht se nuk ka kaluar 50%, do të ishte zgjidhja e parë që do të shmangte balotazhin, d.m.th. votimin e përsëritur në pothuaj të gjithë territorin e Kosovës. E domosdoshme kjo edhe për të “disiplinuar” spektrin e politikës kosovare, që mund të vazhdojë të jetë i papërcaktuar edhe për një kohë të gjatë.
Vendosja e partive në spektër dhe grupimi në dy koalicione të mëdha do të orientonte politikisht elektoratin kosovar dhe do të sillte fitues që në raundin e parë. Kjo gjë do të shmangte shkuarjen e njerëzve dy herë në zgjedhje, do të eliminonte shpenzime të dyfishta, si dhe do të nxirrte kryetarë me mbështetje të gjërë politike.
Jemi në kushtet kur në Kosovë kemi 4-5 faktorë politikë relevant, që pretendojnë, ose fitoren për vete, ose ti prishin punë tjetrit. Dhe kjo ka ndodhur tashmë. Ajo që pritet të jetë me interes lidhet me koalicionet në komuna të ndryshme. A do të prononcohen publikisht partitë e treta dhe të katërta në mbështetje të njërit apo tjetrit kandidat? A do të ketë një politikë orientimi të përcaktuar mbështetjeje në balotazh, apo do të kemi qëndrime të ndryshme në komuna të ndryshme, që rëndom partitë i justifikojnë me “vendimet në bazë”?
E veçanta e zgjedhjeve të 3 nëntorit është zhvillimi i tyre në të gjithë territorin e Kosovës, me një pjesëmarrje të kënqashme mbi 45%, pavarësisht problemeve serioze që u shfaqën në Veri të Mitrovicës. Duke paralajmëruar kështu një klimë më të mirë për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm, që pritet të kenë ndikim esencial në rrugëtimin e Kosovës dretj BE-së..
Por nuk kanë munguar edhe surprizat. Rezultati më surprizë ka qenë ai i kandidatit të Vetëvendosjes Shpend Ahmeti, në garën për Prishtinën, i cili ka marrë 31% të votave kundrejt 43% të kryetarit aktual Isa Mustafa, kandidatit të LDK-së, njëkohësisht kryetar i opozitës dhe pak më shumë se 10% të Agim Çekut, kandidatit të PDK-së, partisë në pushtet. Do të jetë me interes të shihet nëse PDK-ja do ta mbështesë kandidatin e VV-së, në raundin e dytë, gjë që do të sillte një garë shumë e fortë. Rezultatet e tjera kanë qenë në kufijtë e një rikonfiguracioni normal, që ndodh në një palë zgjedhje, me ndryshime dhe përmbysje, varësisht nga mbështetja e kandidatëve dhe partive.
Zgjedhjet e 3 nëntorit kanë qenë edhe një test për atë se çfarë pritet të ndodhë në zgjedhjet parlamentare. Rezultati në proprocional, ka dhuruar ndryshime të cilat pritet të reflektohen sidomos në zgjedhjet parlamentare të vitit tjetër. Partia e parë rezulton sërish PDK-ja e Hashim Thaçit, me rreth 27% të votave por tashmë me një diferencë shumë të vogël nga LDK-ja e Isa Mustafës, me 26%. Partia e tretë rezulton AAK-ja e Ramush Haradinajt, me rreth 14%, një rritje kjo, ndërsa VV e Albin Kurtit kalon në vend të katërt me pak mbi 8%, me një rënie të theksuar. Në vend të pestë është përsëri AKR-ja e Behgjet Pacollit, me rreth 5%, në kufijtë e mbijetesës. Referuar këtyre shifrave mund të thuhet se PDK-ja dhe LDK-ja pritet të luftojnë për vend të parë e të dytë, në zgjedhjet paralamentare të vitit 2014, ndërsa nëse do të ruhet ky trend, AAK-ja do të jetë partia që do të përcaktojë pushtetin. Nga ana e saj VV-ja mund të ketë rënie, nëse nuk do ta ndryshojë politikën e luftës kundër të gjithëve për ti dhënë shpresë elektoratit të saj se kjo parti, përveçse për bashkim kombëtar, lufton për pushtet. Për realizuar këtë, ajo duhet të deklarojë se me cilën palë do të jetë në koalicion paszgjedhor. AKR-ja mund të jetë partia e sakrifikuar në ingranazhet e dinamikës politike të shoqërisë kosovare, por edhe nëse do ta kapërcejë pragun, nuk pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në pushtetin e ardhshëm, siç ka tani.
Gjithësesi, para se të shkojë në zgjedhje, Kosova ka nevojë për një reformë zgjedhore që do të përshtatej me zhvillimet e sotme, reformë e cila mund të prekte sistemin aktual që duhet se i ka kaluar koha. Në mënyrë që qytetarët e saj të mos mbeten vazhdimisht në “balotazh”.