Kosova, një gjysmë dhurate nga FIFA

anazapta

Vendimi: Klubet, kombëtaret e moshave dhe femrat mund të luajnë miqësore ndërkombëtare. Kombëtarja A duhet të presë ende

 

FIFA i ka hapur dritën e gjelbër futbollit të Kosovës për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare, veçse jo në nivel kombëtaresh A. Vendimi i shumëpritur është marrë dje në Tokio, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, megjithatë është një vendim që kënaq vetëm pjesërisht. Që dje, klubet e Kosovës, skuadrat kombëtare nga U-15, U-17, U-19, U-21 dhe U-23, si dhe kombëtarja e femrave, mund të luajnë me çdo skuadër të vendeve anëtare të FIFA-s. Kombëtarja A e Kosovës do të duhet të presë ende, ndoshta një tjetër takim të KE të FIFA-s, për zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare. Një vendim i tillë do të shtyjë për një kohë të papërcaktuar edhe grumbullimin nën flamurin kosovar të talenteve të shumtë që luajnë me vendet e tjera, ku më të spikaturit janë ata që luajnë me Zvicrën, por edhe me Shqipërinë. Ndonëse dëshira e kosovarëve nuk është plotësuar e gjitha, presidenti i Federatës Kosovare, Fadil Vokrri, e ka vlerësuar pozitivisht vendimin e djeshëm. Vokrri, i cili gjendet aktualisht në Zvicër, e ka cilësuar vendimin si “një hap i madh dhe historik për futbollin e Kosovës, sepse për herë të parë Kosova ka të drejtë të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare, me moshat e reja, përfaqësuesen e femrave dhe “klubet”. “… nuk është e gjitha ajo që kemi pritur, por është një hap tejet i madh drejt hapit final. FFK do të vazhdojë me ngulm të kërkojë lejimin e ndeshjeve miqësore dhe për Përfaqësuesen A”, shprehet Vokrri për median e Kosovës. Edhe pse nuk do të luajë përfaqësuesja A, sërish presidenti e sheh vendimin e djeshëm si një mundësi të madhe për konsolidimin e skuadrave të të rinjve dhe të femrave. “Ky vendim ka peshë të veçantë, sepse lejon prezantimin e shtetit të Kosovës me të gjitha atributet. Të hënën, KE i FFK-së do të ketë një mbledhje të veçantë ku do të vlerësojë këtë vendim, ndërsa shpresojmë se vendimi do të vijë edhe me shkrim dhe i detajuar nga FIFA”, tha Vokrri.

 

FSHF

Asnjë reagim

Vendimi i KE të FIFA-s për Kosovën nuk ka shkaktuar asnjë reagim në FSHF. Deri dje në mbrëmje, nuk ka pasur asnjë koment në sitin zyrtar të Federatës Shqiptare në internet dhe as në faqen zyrtare në Facebook.

 

Serbia

Media kundër FIFA-s

Gazetat serbe e kanë konsideruar si goditje të FIFA-s kundër vendit të tyre lajmin për lejimin e miqësoreve për Kosovën. Federata Serbe kishte bërë ankesë kundër lejimit, ndërkohë që dje ka marrë edhe shuplakën e dytë, nga UEFA, ku është dënuar për racizmin në ndeshjen e U-21 kundër Anglisë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *