Në asnjërin nga tentimet, Lëvizja Vetëvendosje dhe lista “Guxo” nuk arritën të marrin ndonjërën nga votat e tre deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës që nuk iu përmbajtën zotimit të Kryesisë së partisë se do t’ia mundësojnë kuorumin për presidente ish-nënkryetares së kësaj partie. Deputetët Agim Veliu, Avdullah Hoti e Driton Selmanaj nuk u ngritën fare në këmbë për të votuar në dy proceset e votimit. Për dallim nga ta, në votim morën pjesë 12 deputetëte tjerë të Grupit Parlamentar të LDK-së.
Pos 12 votave nga LDK-ja, për presidentin e ri votuan edhe tetë deputetë nga minoritetet joserbe, derisa munguan dy deputetët e tjerë, Adem Hoxha i JGP-së nga komuniteti goran dhe Fadil Gashi nga Iniciativa Rome, e cila e ka një zëvendësministër në Qeverinë Kurti.
Për ta afruar te 80-shi votoi Albena Reshitaj, si deputetja e vetme e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Kjo u konsiderua befasia e ditës. Pas seancës, Reshitaj u shpreh se “nuk ka mundur të lejojë që e ardhmja e funksionalizimit të institucioneve të varet nga Lista Serbe”. Reshitaj me këtë vendim doli kundër qëndrimit të partisë. AAK-ja kishte bërë të ditur tashmë se s’do të merrte pjesë në seancën për votimin e presidentit.
Vetëm 20 minuta para se të niste seanca, kryetari i saj, Ramush Haradinaj, u shpreh se kjo parti është kundër që pushteti të koncentrohet te një person apo parti politike.
Më i ashpër ndaj pushtetit dhe kryeministrit Albin Kurti është shprehur ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj. Për dallim nga Haradinaj, Hoxhaj mori pjesë në fillim të seancës bashkë me nënkryetarin e Kuvendit nga PDK-ja, Bedri Hamza. Hoxhaj ishte i vetmi që mbajti fjalim para nisjes së procesit të votimit. Duke iu drejtuar nga foltorja, Hoxhaj i ka thënë Kurtit se dëshiron ta zgjedhë Osmanin presidente “në mënyrë që të kontrollojë gjithçka”. Pas fjalimit, bashkë me Hamzën e lëshuan sallën.
Në sallë s’ka qenë i pranishëm asnjë deputet i Listës Serbe.
(Koha.net)
