Kosova, “oaz” i prostitutave

anazapta

Femra të reja të kombësive dhe nacionaliteteve të ndryshme, por edhe vendëse, përfundojnë në Kosovë si ushtruese të prostitucionit, përkatësisht si persona të trafikuar për t’u përdorur më pas për përfitime materiale. Ato punojnë nëpër lokale – bordele të shtrira në tërë Kosovën.

Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti Policia e Kosovës ka identifikuar 38 viktima të trafikimit. Sipas të dhënave zyrtare nga aksionet e Policisë së Kosovës janë arrestuar 112 persona, 70 nga të cilët për vepër penale Trafikim me qenie njerëzore. Ndërkaq, për mundësim prostitucioni policia e shtetit ka arrestuar 15 veta, për marrje me prostitucion 16 dhe 11 për vepra të tjera.

“Janë identifikuar 38 viktima të trafikimit, prej tyre 32 nga Kosova, 5 nga Shqipëria si dhe 1 nga Serbia. Në këtë periudhë kohore (janar-qershor 2013) janë iniciuar 47 raste, nga të cilat, 44 janë dorëzuar në Prokurori me kallëzim penal, ndërsa pjesa tjetër është nën hetime”, thuhet në raportin e Policisë siguruar nga gazeta “Zëri”.

Mbyllen dhjetëra lokale

Sipas të dhënave të këtij institucioni, vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2013 pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë mbyllur 9 lokale në qytete të ndryshme të vendit, në të cilat është ushtruar prostitucion.

Në bazë të statistikave të Policisë për gjysmën e parë të këtij viti, njësitë përkatëse të këtij institucioni për periudhën kohore në fjalë kanë realizuar 41 operacione, 225 vëzhgime dhe 131 masa të fshehta.

“Nga periudha janar-qershor 2013 janë realizuar 24 operacione me njësi tjera policore, 4 operacione me inspektorë komunalë, janë kontrolluar 21 lokale dhe janë mbyllur 9”, thuhet në përgjigjet e Policisë së Kosovës, të bazuara në statistikat zyrtare.

Fenomenin e ushtrimit të prostitucionit dhe trafikimit me qenie njerëzore e ka konfirmuar muaj më parë edhe raporti ndërkombëtar Amnesty International, e cila duke iu referuar informatave në terren vlerëson se numri i lokaleve, në të cilat femrat detyrohen me dhunë të ushtrojnë profesionin e prostitutës është mbi 200.

Madje, sipas kësaj organizate prestigjioze, që nga paslufta, Kosova është shndërruar në qendër të trafikimit dhe prostitucionit të detyruar, ndërsa femra nga Moldavia, Rumania, Bullgaria dhe Ukraina trafikohen për në shtetin më të ri në Ballkan, ku detyrohen të bëjnë punën e prostitutës.

Trafikimi i qenieve njerëzor, shqetësues

Për praninë e kësaj dukurie flet edhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Siguri, Ahmet Isufi. Sipas tij, të gjitha aksionet e deritashme të policisë dhe nismat tjera nuk mjaftojnë as për së afërmi për ta luftuar kontrabandën me qenie njerëzore dhe luftën kundrejt bordeleve ilegale.

“Mendoj se duhet të zbatohen ligjet që janë në fuqi dhe duhet të ndërmerren të gjitha masat konform strategjisë për luftimin e dukurive negative, sidomos në trafikimin me qenie njerëzore sepse ka marrë përmasa shqetësuese në nivel të Kosovës”, thotë Isufi, duke e përmendur faktin se në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës për sesionin pranveror është miratuar Ligji për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me qenie njerëzore.

Ai thekson se përveç policisë, institucionet e drejtësisë, përkatësisht Gjyqësori dhe Prokuroria duhet të jenë maksimalisht të angazhuara në luftimin e kontrabandës me qenie njerëzore, gjegjësisht në luftimin e biznesit që bëhet me bordele.

“Trafikimi me qenie njerëzore dhe prostitucioni është shumë i dëmshëm sepse ndikon në shoqërinë tonë, meqë kemi të bëjmë me një shoqëri e cila është në transicion sa i përket zhvillimit të vet ekonomik e shoqëror, prandaj masat më të rrepta duhet të jenë në mënyrë që të parandalohen këto veprime”, ka shtuar Isufi.

Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, thotë se duhet të çmohet dhe vlerësohet lart puna e njësitit Anti-Trafikim, që vepron në kuadër të Policisë së Kosovës, i cili, siç thotë ai, është përpjekur të bëjë punë të mira./ Zëri

Share This Article
1 Comment
  • po pse nuk thoni qe mbas ndonja 15 vjetesh femijet e lindur,do fillojn e te kerkojn baballaret ne Marinen Amerikane!
    I kenaqen miqte e tyre kosovaret!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *