Kosova përpara dilemës së ardhshme

Dita

 

Bedri Islami

Sot, 3 gusht, për herë të parë do të mblidhet parlamenti i ri i Kosovës, i dalë nga zgjedhjet e mesit të muajit qershor.U desh më shumë se një muaj e gjysëm që të marrin fund peripecitë e kalkulimet pas zgjedhore dhe, një fillim i ri, ndoshta ndryshe nga sa më parë, pritet të ndodhë në jetën parlamentare e jo vetëm parlamentare të Kosovës.

Ky do të jetë kuvendi i parë, i cili, mes shumë veçantive të tjera, ndoshta, pas disa muajve, nuk do të ketë të njëjtën përmbajtje që ka edhe sot. Mbi kokën e tij rri varur vendimi i Gjykatës Speciale, që është shumë e mundshme të bjerë edhe me trupën e zgjedhur , e cila, në shumicën e anëve të saj, vërtet të paktë, por mund të ketë objekt të gjykimit.

Parlamenti i tashëm i Kosovës ka disa veçori themelore, të cilat nuk kanë qenë në të mëparshmit e ndoshta, edhe më pas, nuk do të përsëriten.

Është hera e parë që, në një shumicë dërmuese, zgjedhjet janë fituar nga partitë politike të cilat drejtohen nga liderë që ishin pjesë e luftës çlirimtare në Kosovë, ndërsa lëvizja pacifiste e LDK-së, si kurrë më parë, është një forcë minore, e cila, edhe pse pa peshën që kishte, mund të bëhet pjesë e qeverisë nga mosmarrëveshjet e të tjerëve. Partia Demokratike e Kosovës dhe lideri i saj Kadri Veseli, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe prijësi i saj Ramush Haredinaj, NISMA dhe drejtuesi Fatmir Limaj si dhe Vetëvendosja me kandidatin e saj për kryeministër, Albin Kurti, janë në fakt përfaqësuesit e asaj që mund të quhet Krahu i Luftës në politikën e Kosovës. Ata, sëbashku, kanë mbi 70 për qind të vendeve në parlamentin e ri, dhe, po të ishin seriozisht për një frymë të re politike të përbashkët,  çështje tejet të nxehta, si Demarkacioni dhe Zajednica, pa folur për zhvillimin ekonomik të Kosovës, pa asnjë diskutim mund të bënin mrekullira.

Veçantia e dytë: partia më e votuar në Kosovë nuk është më as PDK dhe as LDK, që alternoheshin mes tyre. Asnjëri prej liderëve të tyre nuk është njeriu më i votuar në Kosovë, si ndodhte me parë me Ibrahim Rugovën e më pas, me Hashim Thaçin.

Forca politike më e votuar në Kosovë është Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj faktik Albin Kurti, është personaliteti politik më i votuar.

Megjithëse forcat politike të tjera paraqiten si të djathta, më tepër për hir të afrimitetit në politikën perëndimore, se sa janë vërtet të tilla, njerëzit në Kosovë i besuan një force politike që nuk e fsheh bindjen e saj politike të së majtës, por kurrsesi një e majtë që ka lidhje me lëvizjet komuniste. Lëvizja VV synon të përafrohet me Lëvizjet politike moderne të kohës sonë, duke ruajtur fizionominë e saj politike, e cila, jo pak herë është njësuar edhe me metoda të mosbindjes civile dhe të rebelimit të organizuar, që nga salla e parlamentit e deri tek sheshet e rrugët e Kosovës. Megjithë këtë njerëzit besuan më shumë drejt saj, ndoshta edhe nga që lideri i njohur i PDK-së, tashmë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ndodhej jashtë zonës së përplasjeve dhe debateve, nga vetë posti i tij.

Veçantia e tretë: do të mblidhet një parlament  për të filluar rrugëtimin e tij, herë-herë normal e më shpesh përmes përplasjeve, i cili që në fillim, në rreth gjysmën e tij nuk beson tek presidenti, është krejt i gatshëm të iniciojë shkarkimin e tij, por nuk beson as tek drejtuesi i deritashëm i parlamentit zoti Veseli, partisë së të cilit i takon të propozojë edhe më tej kandidaturën e kryetarit të ri të kuvendit. Në pamundësi për të shkarkuar zemërimin e tyre, të paktën tani për tani, ndaj figurës së presidentit, opozita fillestare që mund të bëhet pas pak ditëve pozitë qeverisëse ka shpallur hapur se ajo do e kundërshtojë fuqishëm dhe do të bëjë të pamundurën që zoti Veseli të mos jetë edhe më tej kryetari i parlamentit të ri.

Në të vërtetë ky do të jetë aksioni i parë politik për të gjetur pikën më të dobët të goditjes ndaj koalicionit fitues, PDK, AAK , Nisma dhe rregullimet rreth tyre, jo vetëm si strukturë politike, që mund të jetë e përkohshme, por sidomos ndaj liderit të PDK-së, duke synuar gjunjëzimin e tij dhe të forcës së tij politike dhe për të patur në drejtimin e parlamentit kë duan ato e jo cilin do të vendosë koalicioni fitues.

Veçantia e katërt: parlamenti do të mblidhet dhe për herë të parë, askush nuk e di me saktësi se cili do të jetë shefi i qeverisë së ardhshme. Pas të gjitha zgjedhjeve është ditur formula qeverisëse, është ditur se cili do e drejtojë atë dhe forcat politike që e përbëjnë. Kësaj here, jo. Dy kandidaturat kryesore Haradinaj, në emër të koalicionit PAN, dhe Albin Kurti, në emër të Lëvizjes VV, që të nesërmen e paszgjedhjeve  po bëjnë të gjitha lëvizjet politike për të siguruar një shumicë parlamentare, edhe pse minore, për të qeverisur.

Haradinaj e di që ky mund të jetë shansi i fundit i tij për të qeverisur dhe për më tepër, ndërprerja e padrejtë që i është bërë në kohën kur ishte kryeministri më efektiv i Kosovës, e shton përpjekjen e tij për të gjetur “numrat” e qeverisjes. Bindja e tij se do e arrijë këtë dhe disa lëvizje të papritura që janë bërë nga deputetë të veçantë e kanë shtuar enigmën, por nuk e kanë zgjidhur dilemën se kush do të qeverisë.

Haradinaj ka shpresë se deputetë të veçantë të LDK-së do të kujtohen për t’ja kthyer borxhin kur ai bëri për herë të parë një qeveri të përbashkët me Rugovën, duke e zgjidhur ngërçin politik të krijuar, por kjo e fundit aq shumë është e zemëruar me PDK që prishi qeverisë e shkuar para afatit, saqë është e gatshme të bëjë qeveri me këdo tjetër veç jo me të djeshmit, apo, të shkojë edhe më tej, të rijojë terrenin për zgjedhje të reja. Rezultati i saj ishte katastrofë politike dhe ajo nuk ka se çfarë të humbasë.

Veçantia e pestë: Forca më e votuar politike, Lëvizja VV mendon se ka kohën e qeverisjes dhe se vetëm nën drejtimin e saj ngjarjet dhe gjërat mund të marrin kah pozitiv. Në fakt njerëzit në Kosovë janë lodhur me qeverisjet tradicionale, LDK dhe PDK dhe kjo i jep të drejtën VV të besojë se koha e saj ka ardhur. Në katër vitet e fundit ajo ka qenë opozita më e ashpër, herë pas here ka kaluar kufijtë e opozitarizmit duke shkuar në përplasje, dhe si duket, nëse do të qeverisë, do të ketë përballë saj një “hakmarrje” politike shumë të ashpër. Deklarata e deputetes së PDK, Blerta Deliu-Kodra se, nëse qeveris Lëvizja VV, ajo ka frikë për jetën e fëmijve të saj dhe të Kosovës është shenja e parë e përplasjve të ardhshme.

Lëvizja VV është vlerë kombëtare, ajo nuk duhet trajtuar me atë frymë e negativitet si ka ndodhur jo pak herë në vlerësimin e VV ndaj të tjerëve.

Veçantia e fundit: forcat politike të dalura nga lufta kanë shansin më ideal dhe të papërsëritshëm ndoshta që përmes një fronti të përbashkët të kthehjnë pas disa ligje, vendime e marrëveshje që, ose janë të parakohshme, ose janë në të prapshtë, për të mos thënë armiqësore për Kosovën, si Demarkacioni, Zajednica, kanë kohën të krijojnë një mekanizëm të përbashkët politik por edhe qeverisës në luftën kundër korrupsionit dhe ndalimit të valës së ndikimit në rritje të politikës serbe dhe ruse në këtë pjesë të Ballkanit.

Por si duket, kjo nuk do të ndodhë. Të gjithë po rendin drejt pushtetit dhe të paktë janë ata që po e shohin atë si një mundësi për të bërë atë që është pritur tash 18 vite.

Koha e humbur në Kosovë është më se e mjaftueshme. Është bërë e tepërt.

Koha për të ngritur një frymë dhe realitet të ri, ka ardhur.

 

Share This Article
1 Comment
  • Shqiptaret e Kosoves nuk kane alternative. Asnera nga partite nuk i ploteson standardet per ta udhehequr shtetin.Te gjitha jane te perfshira ne pune te pista!!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *