Dr. Ledion Krisafi
Çështja e Kosovës dhe dialogu Kosovë-Serbi kanë ngelur në vendnumëro. Në tre vitet e fundit, që kur Aleksandar Vuçiç u zgjodh kryeministër i Serbisë dhe tashmë President, numri i shteteve të reja që kanë njohur Kosovën si të pavarur është shumë i vogël. Dialogu i nivelit më të lartë politik në Bruksel duket sikur vazhdon për hir të të bërit dialog dhe jo për hir të gjetjes së një zgjidhjeje. Shumë prej atyre që u dakordësuan në një gjysmë marrëveshje të nënshkruar katër vite më parë në Bruksel ku nënshkruesit as nuk përmendeshin me emër, nuk janë realizuar ende. Bashkësia e komunave serbe në Kosovë nuk është krijuar dhe vështirë se do të krijohet as në të ardhmen. Ndërkohë që ndikimi i drejtpërdrejt i Serbisë në veriun e Kosovës vazhdon të jetë i madh, aq sa ajo zonë funksionon si de facto pjesë e Serbisë. Situata është në një vendnumëro që i shërben Serbisë për ta shtyrë sa më shumë problemin e Kosovës në kohë dhe për të përforcuar ndikimin e saj në veriun e Kosovës. Në këtë mënyrë Serbia përforcon pozicionin e saj në tavolinën e bisedimeve. Tani nuk ka asnjë urgjencë në Serbi për të dialoguar me Kosovën.
Politika e jashtme e Kosovës ka qenë shumë e dobët qysh prej shpalljes së pavarësisë. Zëri i saj dëgjohet vetëm kur Kosova thirret në tavolinën e bisedimeve në Bruksel ose në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, por kur të huajtë nuk e marrin përdore Kosovën, politika e saj e jashtme nuk ka fuqi të ndikojë mbi asgjë, as mbi shtimin e njohjeve të shtetit që supozohet t’i shërbejë. Në këtë situatë kur Kosova e vetme nuk mund të bëjë asgjë dhe kur as Brukseli nuk duket se është në gjendje as të arrijë një marrëveshje përfundimtare Serbi-Kosovë, roli i Shqipërisë bëhet i rëndësishëm dhe i domosdoshëm.
Politika e jashtme e Shqipërisë mund të arrijë dhe të bëjë më shumë se ajo e Kosovës. Një angazhim më i madh i Shqipërisë në këtë drejtim do i shërbente dy qëllimeve: së pari, do të ndihmonte Kosovën dhe do të krijonte një politikë të jashtme të përbashkët Shqipëri-Kosovë; dhe së dyti do të rriste ndikimin e Shqipërisë në Ballkan. Nuk duhet të jetë herezi ulja në një tavolinë e Shqipërisë dhe Serbisë për të diskutuar për çështjen e Kosovës. Përkundrazi, është një domosdoshmëri që i shërben interesave kombëtare të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në përgjithësi në Ballkan.
Mungesa e një marrëveshjeje përfundimtare mes Serbisë dhe Kosovës dhe pse jo mes shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan, do ta linte Kosovën gjithmonë në një situatë të paqëndrueshme në të cilën shumë shtete të mëdha të botës nuk do e njihnin asnjëherë. Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për një platformë të njëjtësuar mbi bisedimet me Serbinë dhe mundësinë e një zgjidhjeje përfundimtare. Asnjë zgjidhje e qenësishme nuk ka për të ardhur nga bisedimet e Brukselit sepse Serbia është në një pozicion force, ka në kontroll veriun e Kosovës dhe asnjë trysni ndërkombëtare deri më tani nuk e ka detyruar ta zvogëlojë këtë kontroll dhe ndikim, ka një politikë të brendshme në të cilën Aleksandar Vuçiç nuk ka opozitë dhe ka mbështetje të madhe popullore, gjë që nuk është rasti me politikën konfliktuale në Kosovë si dhe rritja e ndikimit të Rusisë në politikën ndërkombëtare e ka bërë më të lehtë balancimin në dukje të Serbisë mes BE-së dhe Rusisë duke e ulur trysninë mbi Serbinë.
Politika e jashtme e Shqipërisë në vitet e fundit është zhvilluar brenda kornizave, brenda disa shprehjeve klishe, aq sa duket sikur Ministria e Jashtme Shqiptare ka frikë të shprehë atë që vërtet mendon, nëse vërtet mendon diçka. Serbët nuk kanë frikë të shprehen për ato që mendojnë për të ardhmen e rajonit dhe marrëdhëniet e tyre me fqinjët, as bullgarët nuk kanë frikë dhe aq më pak grekët. Atëherë, pse duhet të kenë frikë shqiptarët? Shqipëria deri më sot është kufizuar tek përshëndetja e dialogut në Bruksel, aq sa duket sikur Tirana zyrtare është Brukseli zyrtar dhe nuk ka ndonjë interes kombëtar në lidhje me Kosovën, ndërkohë që vetë Serbia dhe Kosova shohin që dialogu ka ngecur në vend dhe në gjithë këto vite dialogu është arritur shumë pak dhe më e rëndësishme është që nuk është bërë asnjë hap para mbi ato çështje që janë vërtetë të rëndësishme.
Një ndërhyrje më e madhe e Shqipërisë në politikën e jashtme të Kosovës ashtu si dhe një ndërhyrje më e madhe e Shqipërisë për çështjen e shqiptarëve në Maqedoni dhe Mal të Zi nuk duhet të shihet si ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës, Maqedonisë apo Malit të Zi. Për Kosovën do të ishte një ndërhyrje dhe një ndihmë e mirëpritur dhe askujt nuk duhet t’i vijë keq, ndërsa në rastin e shqiptarëve në Maqedoni dhe Mal të Zi politika e jashtme shqiptare e ka detyrim të angazhohet për çështjet e tyre dhe nuk duhet të stepet prej thënieve të Maqedonisë se po ndërhyn në çështjet e brendshme të një shteti tjetër. Aty ku ka shqiptarë duhet të jetë dhe politika e jashtme shqiptare në ndihmë dhe këshillim të tyre edhe pse në pamje të parë mund të duket si ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti tjetër.
Shqiptarët në Maqedoni në rradhë të parë janë shqiptarë, pastaj janë shtetas të Maqedonisë. Një Ministër i Jashtëm apo Kryeministër i Shqipërisë nuk duhet të stepet nga shkuarja në Shkup dhe deklarimi se Maqedonia si shtet mund të mbijetojë vetëm nëse ndodh një integrim i plotë, një barazi e plotë mes shqiptarëve dhe sllavomaqedonasve dhe se përndryshe Maqedonia nuk ka të ardhme. Greqia nuk është stepur në asnjë moment nga interesat e veta kombëtare në lidhje me çështjen e emrit të Maqedonisë ashtu siç nuk stepet nga deklaratat për pakicën e qenë ose të supozuar greke në Shqipëri qoftë edhe për çështjet në dukje më të vogla dhë më të parëndësishme. Pse duhet të stepet Shqipëria?
Shpeshherë politika e jashtme shqiptare, në emër të të qenit korrekt me Brukselin dhe Uashingtonin harron interesat e veta kombëtare dhe shfaqet ‘’më katolike se Papa’’, gjë që nuk e bëjnë as serbët, as bullgarët dhe as grekët. Secili prej këtyre shteteve përpiqet të rrisë ndikimin dhe fuqinë e tij në Ballkan, përveç Shqipërisë, që duket sikur po përpiqet të bëjë të kundërtën. Politika e jashtme nuk është bamirësi.

Kosova ngelet Si statusi republika e kines-tajvan ne rastin e Kosoves Republik serbi-kosove pra ne e quajn republik per Ti ber qefin vetes Kur Kosova nuk Ka nje vend ne okb e shum vende te eu nuk e njohin Si shtet!
Nje ndryshim Territorium te kufijte te 1912mbase do ta bente pjes te republike se shqiperis ose nje federate mbar shqiptare Duke Futur edhe nje pjes se maqedonis e malit te zi!
Po ky ka marre zanatin e te jatit, e ndriti i jati, ta ndrisi edhe i biri.