Nga Radio Evropa E Lirë
Korrupsioni në Kosovë ka kapur shifra shqetësuese si pasojë e mosfunksionimit të mekanizmave të kontrollit dhe raportimit në nivel lokal. Përfaqësues të organizatës joqeveritare “FOL” ngrenë shqetësimin mbi këtë çështje
Gati në të gjitha komunat e Kosovës korrupsioni vazhdon të mbetet në nivel të lartë, shprehen përfaqësuesit e shoqërisë civile, duke shtuar se parregullsitë më të mëdha bëhen në fushën e prokurimit. Ata pohojnë se mënyra e shpenzimit të të ardhurave publike, është shumë problematike, kur dihet se 80 për qind e buxhetit të komunave shpenzohet përmes këtyre procedurave.
Përfaqësues të organizatës joqeveritare “FOL” konsiderojnë se mungesa e transparencës ka bërë që shumë zyrtarë të komunave të Kosovës të përfshihen në korrupsion. Petrit Zogaj, përfaqësues i kësaj organizate, thotë për “Radion Evropa e Lirë” se fokusi i luftimit të korrupsionit vetëm në nivel qendror ka bërë që në nivelin lokal të kryhen shumë parregullsi.
“Mungesa e transparencës dhe kërkesës së llogarisë i ka shtyrë zyrtarët e nivelit lokal në afera korruptive, kryesisht në proceset e prokurimit publik dhe projektet e ndryshme që janë ndërmarrë në komuna. Sigurisht që, duke pasur parasysh se strategjia antikorrupsion dhe ligjet që kanë të bëjnë me luftimin e korrupsionit, ndërlidhen më shumë me nivelin qendror, niveli lokal nuk është aq sa duhet në qendër të vëmendjes”, thekson Zogaj.
Lidhur me hetimin e rasteve ku dyshohet për korrupsion, ekspertët e ekonomisë kanë mjaft kritika. Ata vazhdimisht kanë theksuar se nuk ka pasur shumë raste ku gjykatat kanë hetuar apo ndëshkuar personat që kanë kryer një vepër të tillë dhe sugjeruan se në përmirësimin e procesit të prokurimit, duhet të bëhet një auditim i jashtëm.
Zogaj thotë se në bazë të raporteve të organizatës “FOL” për rastet e korrupsionit në të gjitha komunat e Kosovës, ka deri në 5 shkelje të procedurave të prokurimit. “Kemi parë që shkeljet janë nga më të ndryshmet. Në komunën e Prizrenit, Suhareksës, Gjilanit, Mitrovicës, po ashtu edhe në komunën e Prishtinës janë bërë 4 – 5 shkelje në çdo tender”, shprehet ai.
Nga ana tjetër, në komunat e Kosovës që kanë për mision krijimin e një qeverisjeje lokale më efikase, më të qëndrueshme dhe më demokratike, pavarësisht problemit të madh të dukurisë së korrupsionit nëpër komuna, asnjëherë nuk është diskutuar mbi këtë problem.
Të kontaktuar nga “Radio Evropa e Lirë”, përfaqësuesit e Asociacionit të Komunave thonë se me dukurinë e korrupsionit janë përballur nga publikimet e raporteve të ndryshme të shoqërisë civile. Fakti është se ata nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për përmirësimin e kësaj gjendjeje.
“Nuk kemi diskutuar rreth këtij fenomeni. Ne nuk kemi mekanizma për korrupsionin në nivel lokal, nuk bëjmë as analiza e as vlerësime, mirëpo sipas analizave që bëhen nga institucionet e ndryshme për besueshmërinë ndaj komunave, rezulton se ato janë në nivel të lartë. Ne si shoqatë kemi punuar për harmonizimin e rregulloreve komunale dhe për transparencën”, bën të ditur Sazan Ibrahimi.
Edhe Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, në raportet e saj, ka bërë të ditur se ka gjetur parregullsi dhe dyshime për konflikt interesi në disa komuna të Kosovës.
Ndërkaq, Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, ka kërkuar nga autoritetet kosovare që të merren me rastet e korrupsionit edhe në nivelin lokal.
Somario: Në komunën e Prizrenit, Suhareksës, Gjilanit, Mitrovicës, po ashtu edhe në komunën e Prishtinës janë bërë 4 – 5 shkelje në çdo tender