Kosovë: “Partia e Fortë” të premten ka bërë publik planin e saj të radhës të quajtur “Prishtina Grand Prix – Pista për Formula 1”
E projektuar nga një grup i flaktë profesionistësh dhe tifozësh të këtij sporti, Prishtina Grand Prix shtrihet në një gjatësi 25.900km dhe përbën pistën më të gjatë të Formulës 1 në botë. Ajo kalon përmes lagjeve residenciale të kryeqytetit në mënyrë që të gjithë qytetarët ta kenë mundësinë e përcjelljes së garave nga dritaret e ballkonat e tyre. ‘Shpejtësia gjithmonë ka qenë tipar i këtij populli. Ne nuk trembemi nga shpejtësia. Populli i Kosovës e veçanërisht votuesi i Prishtinës duhet ta ketë mundësinë e pjesëmarrjes, qoftë në garë, qoftë në audiencë një organizim ndërkombëtar kaq prestigjioz siç është Formula 1.’- ka deklaruar udhëheqësi i kësaj partie Visar Arifaj.
Pas një pune të gjatë planifikuese, ekspertët partiak tani po bëjnë gati dokumentacionin e nevojshëm për njohjen formale të këtij projekti edhe nga Fédération Internationale de l’Automobile (FIA) që është insitutcioni më i lartë qeverisës i garave motorsportive në botë. Faza e parë e ndërtimit të pistës do të zgjasë 18 muaj kurse aneksimi dhe plotësimi i ulëseve për shikues edhe 12 muaj shtesë, ndërsa Partia e Fortë premton që nuk do t’i kursejë miliardat për këtë projekt kaq madhor. ‘Ky projekt përveç që na sjell vota neve si parti, është shumë fitimprurëse për vetë qytetin e Prishtinës. Prishtina Grand Prix do të jetë një nga ngjarjet kryesore të mbarë shtetit.’ – ka deklaruar Arifaj. Pista Prishtina Grand Prix kushton 900 milion euro dhe konsiderohet si një nga investimet më të mëdha kapitale të planifikuara nga Partia për Komunën gjatë vitit 2014. Ende nuk spekulohet mbi kompaninë fituese të këtij tenderi, por detajet mbi tenderimin do të bëhen të ditura pas datës 4 nëntor.
4 Comments

Budallallëku s’ka fund ndër shqiptarët!
Ka, ka! E paska arritur ky mustaqe miu…
ky djali eshte tip! e simpatizoj dhe me vjen keq qe nuk e votoj dot se nuk jam kosovar! eshte me serioz se une. bravo visar!
keto elemente te groteskut ne fushate dallohen qarte prej propagandes se tipit “ne jemi te dytet pas Gjermanise”, karakteristike eshte autoironia dhe ne kete pike eshte e dukshme se ky Kryetar Lexhendar 🙂 po tallet paq me politiken e premtimeve shterpe qe vijne nga te gjitha partite ne garen elektorale.Kjo politike e shendosh mjedisin ,nje Bravo e madhe