Deficiti tregtar për muajin Dhjetor të vitit 2013 në Kosovë është rritur me 9 milionë euro, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraardhës. Të dhënat mbi tregtinë e jashtme të Kosovës, tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për muajin Dhjetor të vitit të kaluar prej 202 milionë euro, krahasuar me 193.1 milionë euro që ishte në periudhën e njëjtë të 2012. “Eksporti mbulon importin vetëm me 9.8 për qind. Eksporti në muajin dhjetor 2013 kishte vlerën 21,8 milionë eurove, ndërsa importi 223,9 milionë euro, një rritje prej 2.7 për qind për eksportet si dhe një rritje prej 4.4 për qind për importet krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2012”, thuhet në njoftimin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.