Çështja e sportit kosovar do të shtrohet në tavolinën e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për këtë ka siguruar kryeministri Hashim Thaçi, i cili është optimist se do të gjendet një zgjidhje, në mënyrë që sporti kosovar të përfaqësohet sa më shpejt në arenën ndërkombëtare. Gazeta “Express” ka bërë të ditur se sporti kosovar do të jetë temë diskutimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në bisedimet e vazhdueshme që po i zhvillojnë të dyja vendet në Bruksel. Duket se më në fund po sjell fryte propozimi i njerëzve të përfshirë në sportin kosovar që edhe kjo temë të futet në dialogun ndërmjet dy vendeve. Thaçi ka konfirmuar se, krahas temave të tjera të rëndësishme për vendin, në njërin prej takimeve të radhës me kryeministrin serb Ivica Daçiç do të diskutojë edhe për çështjen e sportit kosovar, i cili mbetet i izoluar prej vitesh. “Në raundin e ardhshëm të bisedimeve në Bruksel njëra ndër çështjet e para që do të shtrohet në tavolinë është ajo e përfaqësimit të sportit kosovar në garat ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi. Ai shprehet optimist se sporti kosovar do të shohë më në fund dritë, 14 vjet pas luftës. “Besoj se do të gjehet një zgjidhje për këtë punë”, ka shtuar kryeiminsitri. Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojnë nesër në Bruksel dhe kosovarët shpresojnë që më në fund të thyhet barriera dhe Serbia me aleatët e saj të mos e pengojë më ndërkombëtarizimin e sportit kosovar.
