Fuat Memelli
Emrin e Kosta Nake, ka vite që e njohin jo vetëm lexuesit e Devollit, nga autori është me origjinë, por edhe më gjerë. Ai ka lënë gjurmët e tij si mësues i përkushtuar. Ka qënë për disa vjet kryeredaktor i gazetave “Bilishti” dhe “Eorde”. E njohin atë edhe si redaktor i plot librave të krijuesve devollinj etj., njëkohësisht dhe si autor i katër librave të tij të mëparshëm. Më tepër e kanë njohur si prozator e më pak si poet, pasi rrallë publikonte ndonjë poezi, megjithëse ka shkruar edhe vite më parë.
Po t’i hedhësh një sy kohës kur janë shkruar poezitë e librit të fundit, ve re se shumë prej tyre i përkasin vitit 2016. Ky vit ka qënë i begatë në fushën e krijimtarisë poetike. Libri ka tre kapituj. I pari, i cili është titulluar “Rakia ime e kumbullës”, ka 31 poezi të autorit.
Kapitullin poetik të krijimeve të veta, Kosta e mbyll me poemën ”Varr pa lot nëne”, të cilën e ndan në vite, duke filluar që nga viti 1916 e deri më 2016. Në poemë tregohet fati i dy vëllezërve, duke filluar që nga dënimi i turkut e më pas nga greku. Një fat të hidhur kanë edhe dy djemtë e tjerë që emigrojnë në Amerikë, të cilëve “para u qesh një valë deti/ pas qan një mal me borë”. Kjo poemë, është si një elegji që nëna thur për fatin e keq të bijve të saj. Hakmarrja, burgu, arratia, emigrimi, vdekja, janë si të thuash “shkallët” e ngjitjes së poemës. Kur më në fund nëna niset në Amerikë për të parë varrin e djalit e për të hedhur aty një grusht dhé, sheh se “prej lotit të munguar/pllakat e varrit kanë plasur”. Me sa duket, autori ka dëgjuar ngjarje të tilla reale për emigrantët dhe i ka futur në “magjen” e tij poetike. Fate të tillë të hidhur, kanë patur sa e sa emigrantë shqiptarë jo vetëm shumë vite më parë por edhe pas viteve ‘90, ku shumë prej tyre patën fat tragjik, në kërkim të një jetë më të mirë.
Por Kosta është dhe një përkthyes i përkryer. Me “lupën” e tij, autori ka qëmtuar 260 poetë nga e gjithë bota dhe ka lexuar mbi 1000 krijime të tyre. Pastaj i ka “situr”e ka lënë vetëm 99 . Kësaj pjese autori i ka vënë titullin simbolik “Vera e mysafirëve”. Shumica e poezive janë përkthyer nga anglishtja e rusishtja, gjuhë të cilat ai i njeh mirë. Pushkini ka thënë: “Përkthyesi është postier i qytetërimit njerëzor”. Edhe Kosta Nake është një nga këta “postierë”. Për çdo poet, ka marrë nga një poezi të spikatur. Siç thuhet shpesh që “mjafton një gotë për të provuar verën e një fuçie” edhe Kosta ka marrë nga një poezi, për të përfaqësuar ligjërimin poetik të secilit. Gjithë këtë punë, e ka bërë për 9 muaj pa ndërprerje. Në “sofrën” poetike ai ka ftuar poetë nga gjithë kontinentet, përfshirë edhe ata nga Afrika. Mes tyre ka shumë poetë të njohur si Pushkini, Esenini, Robert Bërns, Gëte, Ibseni, Ohmar Kajami, Longfellou, Edgar Poe, Lorka , Lermontovi, Shekspiri, Uollt Uitman, etj.., por ka edhe poetë të panjohur, ose pak të njohur.
Kapitulli i fundit i librit titulluar “Meze” (Rakia dhe vera që janë në dy kapitujt e parë, duan edhe meze) . Dhe këtë autori e sjell atë me krijime të veta, por jo në poezi por në prozë. Janë 6 rrëfenja e skica të bukura. Me këto gjini, Kosta është si të thuash në”shtratin” e tij dhe ecën më lehtë. Dy prej tyre, ajo me titull ”Sfidanti” dhe “Rrokullima e Polit”, janë ngjarje të jetuara nga autori dhe përshkruhen plot dashuri e dhimbje. “Sfidanti” është një njeri i vetmuar në qytetin e Bilishtit por që nuk i dorëzohet fatit të jetës, megjithëse jeton në një kasolle-skëterrë. Fatkeqësisht njerëz që jetojnë në këto kushte, ka në ditët tona, pasi shpesh sytë e shtetit janë verbuar për ata, ose kujtohen rrallë kur ka ndonjë ngricë ose përmbytje.
Eseja për Polin, i kushtohet qenit që ka mbajtur autori për 20 vjet. Ditët e fundit të jetës së qenit, të cilat përbëjnë edhe boshtin kryesor të shkrimit, janë tepër të rënda, jo vetë për qenin por edhe për të zotin e tij, që e ka dashur si fëmijë dhe… siç shprehet ai “e qau me dhimbje”. Edhe në tregimet e tjera, që janë më shumë trille, spikat arti i të treguarit bukur.
Prozatori dhe poeti Kosta Nake, i cili është i lidhur përjetësisht me letërsinë, pasi ka mbaruar për këtë degë dhe ka qënë mësues për shumë vite, me siguri do të na japë botime të tjera. Ndoshta në poezi, ndoshta në prozë apo në shqipërime, ku e ka lënë portën hapur për përkthime të tjera.”Magjja” e tij krijuese, ka ende “brumë” për të gatuar.
Kosta eshte njeri dhe ke bere mire Fuat, po Devolli ka vlera te paperserotshme poetike. Ajo krahine sikur i blaton me dashurine e saj, i rrit te bukur dhe te talentuar poetet e prozatoret, dramaturget dhe piktoret, kineatet dhe muzikantet. Sikur marrin fryme nga era e Moraves, sikur pine uje nga burimi i vales, sikur luajne syte nga uji i Devollit e fshijne fytyren me blerimin e fushes se Devollit.
Po Kosta eshte shumeplanesh. Ai eshte njohes i perkore i sintakses poetike. Perendimet alle i ngjyen me flalen poetike. Krijon, perjetoj kur perkthen. Mbledh nga poetet devollinj krijimet e tyre me te mira dhe krijon antologji poetike. Kete mund ta beje nje shpirt i paster, i dlire, frymezues, i dashuruar pas se bukures dhe tokes se begate devollite.
Vlerat e tij jane te paçmuara po une pe e le me kaq se ti, i dashur Fuat, i ke thene bukur.
Kosta Nake është një enciklopedi. Mësues, shkrimtar, poet, përkthyes, redaktor, gazetar, muzikant, sportist, eksplorues i natyrës, fotograf i përkryer, pushtetar i përsosur. Lum Devolli që e ka, e lum ne që e kemi mik!