Kosta Raka, artisti i karikaturës

Leda Hysa

Nga Dhimitër Shtëmbari

Bënim ca kohë që nuk ishim takuar me mikun tonë të hershëm karikaturist Kosta Raka në Tiranë dhe ishte kjo arsyeja, që së bashku me fabulistin e mirënjohur Izet Çulli ditët e fundit i bëmë një vizitë në vendin ku ai kalon një pjesë të ditës.

– Sa mirë që më erdhët! – na drejtohet në çastin që i shkuam pranë në lokalin, ku ai sapo kishte mbaruar së rufituri një kafe.

Dhe bën një lëvizje të lehtë të trupit, pa mundur dot të çohet në këmbë!

– Ja ku është “vetura” ime me të cilën lëviz! – na drejtohet.

Dhe me dorë bën shënjë drejt një karroce invalidi!

Po cili është Kosta Raka, personazhi i shkrimit tonë?

Le ta themi që në fillim: është një personalitet kombëtar në fushën e skicës dhe të karikaturës.

I lindur më 15 maj të vitit 1953 në qytetin e Sarandës, edhe vet Kosta nuk e ka shumë të qartë se nga kush e trashëgon dhuntinë e pikturës; nga i ati – Andrea, i lindur në Leshnicën e Poshtme të Sarandës, apo nga e ëma – Androniqi, e lindur në Patra të Greqisë.

– Isha foshnje kur prindërit erdhën me banim në Tiranë, – tregon Kosta. – Arsimin tetëvjeçar e kreva në shkollat “Kostandin Kristoforidhi” dhe në atë “Vasil Shanto”.

Gjatë moshës dhjetë – pesëmbëdhjetëvjeçare studioi për violinë me pedagogun Beniamin Guraziu, që ishte instrumentist për violë në orkestrën e Teatrit të Operas e Baletit. Katër vitet në vazhdim ndoqi mësimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” për pikturë, ndërkohë që studionte edhe për skulpturë, skenografi e tekstil.

Në vend të violinës, kapi penelin e piktorit

Hapat e para në rrugën e bukur e të vështirë të artistit të ardhshëm Kosta Raka i bëri në fushën e muzikës. Le të kujtojmë faktin, se ky djalosh fare i ri pat dhënë dy koncerte me violinë, i shoqëruar nga pianisti i madh, Robert Radoja.

– Ishte një kohë, kur brenda meje endeshin lloj – lloj ëndrrash, ndërkohë që mosha më bënte ftesë të zgjidhja rrugën e ardhshme, – na thotë miku ynë. – Nuk mund të rrija gjatë në udhëkryqin e natyrshëm të asaj moshe.

Çuditërisht, artisti i ri e la menjanë violinën dhe kapi penelin. Zgjodhi rrugën e bukur të piktorit. Gjatë viteve 1972 – 1975 do të punonte skenograf i Estradës së Ushtarit. Natyrisht, që nuk do të qe e lehtë për këtë artist të ri e të papërvojë. Por falë talentit ia pat ndalë mbanë.

Gjatë muajve mars – qershor të vitit 1975 punoi në Spitalin Ushtarak me detyrën e piktorit skicograf. Kuptohet, i bëhej sikur punonte në boshllëk. Supet e tij ishin të përgatitura të mbanin shumë më tepër peshë.

Muajt e vitet kalonin, artisti i ri fitonte përvojë dhe piqej artistikisht. Tashmë dalëngadalë do të bëhej një emër i njohur falë edhe kontributit që vazhdonte të jepte në shtypin e kohës. E nuk vonojnë dhe i gjejnë vendin: emërohet punonjës pranë Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë. Tashmë ai do të ishte piktor – dekorator. Punët e tij artistike tashmë do t’i shërbenin trupave artistike të ushtrisë: Ansamblit Artistik, Estradës së Ushtarit, si dhe Orkestrës Frymore të Ushtrisë.

– Edhe pse gjendesha në një mjedis të mirëfilltë ushtarak, ku vetë natyra e punës si artist të kufizon disi, prapëseprapë, – na thotë piktori, – munda ta shpalos atë çka kisha brenda vetes si piktor.

Asnjëherë i zhytur nga dallgët e shumta të jetës

Mbas vitit 1991, si shumë artistë të tjerë, edhe Kosta Raka mori rrugën e emigrantit. Ishte një zgjedhje e detyruar.

– Qendrova nja dy vjet jashtë shtetit, por… nuk mund të rrihej më gjatë, – tregon bashkëbiseduesi ynë. – Puna jonë është shpirtërore. Mirëpo shpirti na kishte mbetur në Shqipëri.

I mbetur në mes të katër rrugëve, nis e kërkon punë. Dallgët politike kishin arritur t’i shpërqendronin të gjithë artistët. Në këto rrethana, filloi e vazhdoi të punonte në revistën “Hosteni” dhe në gazetën “Llaiko Vima”. Kështu gjatë viteve 1993 – 1994. Në vijim, për shtatë vjet rrjesht, do të ishte punonjës në sektorin e shtypit ushtarak me detyrën piktor i revistës “Mbrojtja” dhe i gazetës “Ushtria dhe Koha”.

Në vitet 2000 – 2002 Kosta punoi gazetar i rubrikave ekonomike, sociale e kulturore i gazetës “Demokracia”, ku kryente edhe detyrën e piktorit të këtij organi shtypi. Mirëpo nuk qe e thënë të vazhdonte më tej. Dallgët e jetës e hodhën në gazetën “Sot” me detyrën karikaturist. Dy vjet më pas, gjatë viteve 2005 – 2010, punoi karikaturist në revistën “Mapo”.

Ende pa zënë rrënjë diku, dallgët e jetës e hidhnin më tej. Kështu, në vitet 2015 – 2016 kontribuoi në Radio – Televizionin Shqiptar, karikaturist i emisionit televiziv “Shih programin”, ku realizoi mbi 600 portrete personazhesh të ftuar në këtë emision. Gjatë periudhës shkurt 2016 – korrik 2017 e shohim karikaturist në portalin 27.al, kurse në periudhën shkurt 2017 – tetor 2018 e gjejmë karikaturist në gazetën “Albanian Free Press” dhe në portalin afp.al.

“Karikaturist me cilësi tejet të larta artistike”…

Në  librin “Historia e Shqipërisë përmes karikaturës” të publicistit të mirënjohur Ben Andoni, ku përshkruhet e tërë historia e karikaturës shqiptare, në të cilin dhjetë faqe i kushtohen Kosta Rakës, ndërmjet të tjerash thuhet, se “ Kosta Raka është një nga artistët më të hershëm të karikaturës në ditët tona, sikurse është, njëkohësisht, edhe një nga më aktivët në këtë lëmë. Për disa kohë gjeti mundësi të botonte sërisht e rregullisht karikaturat e veta. Dhe e veçanta e Kosta Rakës është se sot ai ka ndryshuar pak stil.

Po të shikosh punët që gjënden në Galerinë e Arteve dhe ato që po botojmë gjen një lidhje të pandryshuar të artit të vetë. Artisti ynë është një vizatues gjeometrik, me një kujdes gati maniakal për idetë e tij. Duhet thënë se është një nga artistët më të njohur të këtij zhanri dhe prania e tij bën thirrje për pjesëmarrje më të gjërë të karikaturës.

Individi shqiptar në punët e tij jepet me të gjitha veçantitë që e rrethojnë, duke na treguar një qënie vazhdimisht në kërkim, por që përpiqet edhe t’i shmanget gjërave themelore.

… Punët e Kosta Rakës të befasojnë me zgjidhjet e tyre dhe sensin shumë intelektual që përshfaqin idetë e ndryshme. Ai është një nga artistët më të angazhuar përsa i përket shqetësimit artistik, por edhe një karikaturist me cilësi tejet të larta artistike.

Duhet thënë, se me potencialin që ka mund të konsiderohet si një nga artistët më të mirë të karikaturës shqiptare…”

 

Është mjerim të mos njohësh figurat e shquara të vendit tënd

Ndërsa qemë ndarë dhe largoheshim prej Kosta Rakës, fabulisti i mirënjohur Izet Çulli na drejtohet:

– Është mjerim të mos njohësh figurat më të shquara të vendit tënd.

Dhe vazhdon të na tregojë:

Kosta Raka është një artist me krijimtari shumë të gjërë. Kështu, gjatë viteve 1975 – 1990 ka pas marrë pjesë në të gjitha ekspozitat e arteve figurative të hapura në Tiranë me tablo kompozicionale, portrete, peizazhe, grafika, imitacione mozaiku, pllakate etj. Ndërkohë, ka fituar 28 çmime në fushën e grafikës, të karikaturës e të fejtonit politik. Për këto merita është dekoruar me Medaljen “Naim Frashëri” nga ana e ish Presidiumit të Kuvendit Popullor. Që në vitin 1981 është pranuar anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

E dëgjojmë me shumë interesim dhe vazhdojmë të mësojmë prej bashkëbiseduesit tonë:

Kosta Raka është një nga nismëtarët për krijimin e Shoqatës së Karikaturistëve të Shqipërisë në vitin 1991. Në po këtë vit mori pjesë në mbledhjen e FECO – s (Federata Evropiane e Shoqatave të Karikaturistëve), që u zhvillua në Shkup të Maqedonisë, ku parashtroi kërkesën për anëtarësimin e Shoqatës sonë pranë FECO – s.

Në nëntor të vitit 1979 ka filluar botimet e para në gjininë e karikaturës. Bëhen mbi 50 tituj organesh shtypi (gazeta e revista) në Shqipëri e jashtë saj, në të cilat janë botuar krijimet e tij. Në shtypin e ditës e në atë periodik i janë botuar mbi 25.000 karikatura e grafika.

Ka shumë të drejtë fabulisti Izet teksa shprehet, se është vërtet mjerim që të mos njohësh figurat e shquara të vendit tënd.

Pjesëmarrës në mbi 60 ekspozita e konkurse botërore të karikaturës

Shumë prodhimtar në gjininë e karikaturës, Kosta Raka ka hapur mbi 25 ekspozita vetjake në Shqipëri e jashtë saj, ndër të cilat ato “Skena dhe prapaskena”, “Pashallarët e kuq”, “Qytetërim ballkanik”, “Vath në vesh”,

“Retrospektivë” etj.

Në vitin 2006 pat hapur në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë dy ekspozita grafike të titulluara: “Qytetërim ballkanik” me 60 grafika me pamje nga Shqipëria e Greqia dhe “Retrospektivë” me 52 karikatura të formatit të madh. Po në vitin 2006 këto dy ekspozita i hapi edhe në lagjen Kalithea të Athinës, me kontributin e Ambasadës shqiptare në Athinë.

Që nga viti 1985 e deri më sot Kosta ka marrë pjesë në mbi 60 ekspozita e konkurse botërore të karikaturës;  në Kanada, Brazil, Argjentinë, Kubë, Francë, Gjermani, Itali, Belgjikë, Holandë, Hungari, Jugosllavi, Greqi, Turqi, Bullgari, Poloni, Ukrainë, Japoni, Iran etj. Në këto konkurse ka fituar 4 çmime botërore, si më 1990 në Jugosllavi, më 1993 e më 1994 në Belgjikë dhe më 1995 në Holandë.

Është laureuar 4 herë me Diploma Nderi në konkurset botërore të Turqisë (Stamboll), si dhe një herë në Konkursin Evropian të Greqisë (Kalithea).

Gjatë periudhës 1990 – 2000 ka qenë anëtar i Shoqatës së Humorit Amerikan “United Medea”. Karikaturat e tij janë botuar në revistat Witt World dhe Carosel të kësaj Shoqate. Shumë nga punimet e tij janë botuar në mbi 60 albume ndërkombëtare.

Në botimin “Historia e Shqipërisë nëpërmjet karikaturës” të studiuesit Ben Andoni, botuar në vitin 2018, dhjetë faqe të këtij libri i kushtohen krijimtarisë së Kosta Rakës.

“Ndihem krenar që kam arritur të ilustroj edhe librin e Abetares”

I pandalur në veprimtarinë e vetë artistike, Kosta Raka ka edhe një bollëk krijimtarie në fushën e botimeve. Ai është autor i  9 librave; 6 të tilla me përralla dhe 4 të tjera me gjëegjëza për fëmijë, botuar nga SHB “LINDDITA AE”.

Ndërkohë, ka përkthyer rreth 30 libra; romane, novela, përmbledhje tregimesh etj., për llogari të shtëpive të ndryshme botuese në vendin tonë.

Prodhimtari të madhe ka sidomos në fushën e ilustrimeve. Deri tani ka ilustruar, me skica e grafika, mbi 1.200 tituj të ndryshëm librash, të botuara këto nga shtëpitë botuese “Uegen”, “Onufri”, “Toena”, “Dituria”, Mediaprint”, “Plejad”, “Skënderbeg”, “Korbi”, “Mësonjëtorja e Parë”, “Lira”, “Baça”, “Linddita AE”, etj.

Në mënyrë të veçantë, Kosta Raka ndihet krenar që ka ilustruar 4 Abetare, tekste që janë përdorur në sistemin shkollor në Shqipëri e në Kosovë. Deri më sot ka botuar mbi 30.000 ilustrime nëpër libra, revista e gazeta.

Nuk i kanë munguar as artikujt problemorë, sidomos në fushën e arteve figurative.

Kosta Raka është i pari që ka aplikuar e botuar fabula e tregime fumeti në shtypin shqiptar, si p.sh në revistat “Mapo” e “Fatosi”, në botimin “Humori shkodran” etj.

– Pensionin e kam mjeran, – na thotë, – dhe është turp t’jua tregoj! Por, pse të mos jua them; më sjellin goxha libra për t’i ilustruar…

Bashkëshortja e vetë, Vali, që është edhe recenzentja e parë, shumë serioze, e krijimeve të Kostës, nuk i ndahet për asnjë çast të shoqit.

Ndërsa vazhdojmë rrugën për t’u larguar, bashkëbiseduesi ynë, Izet Çulli, na drejtohet:

– E çfarë ka mangut ky artist që të meritojë titullin “Mjeshtër i Madh i Punës?”

Karikaturisti Kosta Raka

Karikaturisti Kosta Raka dhe fabulisti Izet Çulli

Studiuesi Ben Andoni duke i dhuruar Kosta Rakës librin “Historia e Shqipërisë përmes karikaturës”

Çast nga marrja e nje çmimi në Jugosllavi, në kuadër të një konkursi ndërkombëtar

Ura me njerëz

Luga

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Share This Article
2 Comments
  • Mjeshteri jo vetem i Penelit i mirenjohure; Kosta Raka !

    Kosta Rakes i jemi birclli sa mirenjohes,te gjithe.ne Fisi XHOGA nga Zavalani i Dangellise permetit. .I Feleminderi per shkrimin,i nderuari Dhimiter Shtembari, per sa na ekspzon nje jete te krijuesit Kosta Raka,per ta admiruar si artist, POLIGLOT do ata quaja une.
    Pos nje jete me shkollen mesues,, letersine dhe artin pasion,,jam njohur me nje konkretizim te jashtezakonshem per mua, te veprimtarise tij.
    Ju i ndeuari Dhimiter Shtembari,si koleg dhe miku i te dyve, sa gazetari dhe shkrimtari nderuar,Gjike Kurtiqi me rekomanduat,teksa une mundohesha te gjeja nje piktor per te bere nje portret te Gjushit tim,Joano P Xhoga _Kapedani..rene me 1913 krye cetes qe komandonte ne mbrojtie te PV,sulmuar nga fqinjet grabitqare,sapo shpalur I madhi Ismail Qemali me shoke. Ani se von,me rastin e 100 vjetorit te renies,Qarku i Gjirokastres,me propozim te bazesn e Dangelli e Permet e nderoi me titullin “MIRENJOHIE”sa Komiteti i Pergjithshem I veteraneve te Atdheut,ne 105 vjetor (2018) e propozoi per ta nderuar me titullin “DESHMOR ” .Ne kete situate vleresimi si familie dhe fis ndiheshim fajtore sa borxhllinj.Gjyshi pa nje ekspozim Fotografik munguar,, fal kohes qe Ai jetoi(55 vjec kur ra si bin trima.).Na sugjeruan te nderuari Dhimirer sa Gjike Kurtiqi te nderuarin Kasta Raka per te bere nje Pikture ne pershtatie te pasardhesve lene((tre djem dhe nje vajze 5 vjecare) .I mirenjouri i PENES Kosta Raka ka bere nje “kryeveter po e quaj te asaj figure.Te cilen e kam pasqyruar ne librin kushtuar kesaj figur,njeheresh gjyshiim*une 83 vjecar,te shkelqyar I jemi shume mirenjohes sa borcllinj,bere ate ne vleresim te shoqeise,as nje kafe pire, me ne familiaret.
    Ndihem fajtor, e emigracioni na ka detyruar te mos takohemi. Faleminderit i nderuar Dhimiter Shtembari per kete artikull mese vlerresues per kete figure te shquar te Fjale, menndimit e artit shqiptar si Kosta Raka.Pa tjeter do ta takoj te mirin Kosata Raka,qe s’lahem dot, me sa Ai bere..(sa te qetesohem ardhur me nje “ishemi cerebrale”tranzitore nga Torontoe Kanadase, (i falenderoj mjeket vendas Torontiane, per rikthimin ne jete. ) Shendet e suksese te nderuar artistri mendimit dhe PENELIT Kosta Raka,per te cilin do te bashkoja propozimin tuaj i nderuar Dhimiter Shtembari se Kosta Raka, meriton vlerresim maksimal si artiste krijues i ralle.
    VO.Me falni se nuk e botoj dot “foton e (grafik nga Kosta Raka,ne lbrin “Kuvendim ne Engjejt e dhe TRIMAT e Zavalanit” botim 2017,studio EKD)

    Pasuesi veteran 83 vjecar;
    Tirane 18=03-2019 Dhimiter Mihal Xhoga.

  • Kostën “e njoh” qëkur botonte te “Hosteni” karikatura domethënëse të goditura krahas Bumçit, Pojanit, Veizit, Ficos etj. Uroj që Kosta tashmë të fitojë edhe konsideratën e respektin e qeveritarëve, sepse atë të publikut e ka fituar me kohë. Duke e pasur friends në facebook, shmesh kënaqem duke shijuar punimet e ti që i bëjnë jehonë aktualitetit. Suksese!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *