Kosto e punës, më e lartë për bankat, modeste për fabrikat

Dita

Biznesit shqiptar forca e punës i kushton mesatarisht 314 lekë për orë. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, kostoja totale e një punonjësi shkon në rreth 400 euro në muaj, përfshi pagën, kontributet e sigurimeve dhe shpenzimet e tjera më të vogla.

Sektori me koston më të lartë të punës është financiar, që përfshin bankat, institucionet e tjera të ndërmjetësimit dhe sigurimet. Sipas INSTAT, një punonjës i këtyre aktiviteteve kushton mesatarisht 545 lekë për orë pune. Kjo lidhet kryesisht me nivelin e lartë të specializimit të sektorit dhe me faktin që forca e punës është në pjesën dërrmuese e diplomuar. Grupi i dytë i sipërmarrjeve me koston më të lartë të krahut të punës është ai i energjetikës, ku kosto mesatare për një orë pune është 398 lekë.

Në nivel të përafërt është grupi i aktiviteteve profesionale dhe teknike. Megjithëse edhe këtu flitet për një nivel të lartë kualifikimi të forcës së punës, kosto për orë zbret në 391 lekë. Sektorë të tjerë me forcë pune të specializuar, si arsimi apo shëndetësia kanë një kosto të punës edhe më të ulët. Sipas INSTAT, një punonjës arsimi kushton 366 lekë në orë, ndërsa një punonjës i sistemit shëndetësor kushton 325 lekë në orë.

Në skajin e kundërt, sektorët me koston më të ulët mesatare të punës për njësi është ai i ujësjellës-kanalizimeve dhe menaxhimit të mbetjeve, ku kosto e punës për orë është vetëm 210 lekë. Kostot janë mjaft të ulëta në industrinë përpunuese, me 219 lekë për orë. Kjo bën që industria vendase të jetë mjaft konkurruese, të paktën në pjesën që i takon kostove të punës.

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *