Rudina Xhunga: Kostoja e plehrave sipas Shalsit

Elton Tafaruci

Nga Rudina Xhunga

Kush punon në Top Channel, në Kashar dhe kushdo shkon i ftuar në emisionet e këtij televizioni, besoj e ka ndjerë erën e tmerrshme të fabrikës së riciklimit të plehrave, pak metra ngjitur godinës së re, të TCH.

Unë kam pyetur dikur, si mund të punonim, aq pranë plehrave dhe më kanë siguruar që nuk ishin të rrezikshme.

Nëse do të punoja ende në Top Channel, do të më kishte mjaftuar kjo siguri që më dhanë. Duke besuar një fjalë goje, pa hyrë kurrë në atë godinë, përbri, nga ku dilte tym çdo natë.

Veprova si shumica indiferente që nuk ndihet, derisa dikush flet. U mjaftova me një sqarim josqarues.

Dhe mbase kështu është, mbase vërtet ajo fabrikë riciklimi nuk paraqet rrezikshmëri. Mbase ata që ndërtuan TCH aty, dinin më shumë se unë për ndotjen e ambientit. E pyeta edhe unë veten, pse nuk kisha parë ndonjë fabrikë riciklimi afër ndërtesave të BBC apo CNN, po pastaj i rashë shkurt. Unë punoja në TCH dhe nuk kisha ndërmend të dija më shumë.

Kjo që bëra, është prej njeriu që bën lajme dhe përpunon opinionin, duke e trajtuar punën e vet si qendra e botës, ndërsa gjithçka tjetër si çështje jothelbësore të jetës.

Por thelbësore në jetë, nuk është puna, as rroga, është vetë jeta.

Dhe pyetja ime është, tani që i shoh gjërat jo më nga brenda, por nga larg: A e përmirëson jetën time një fabrikë riciklimi me lëndë të parë të shtuar? Jo. Sigurisht që jo.

Po jetën e punonjësve të saj? Sa janë ata, sa paguhen? Sa sëmuren, çfarë mundësish pune ka për ta, nëse fabrikat ku punojnë, mbyllen?  Si do i rrisin fëmijët? Si do jetojnë?

Unë nuk mund t’i jap përgjigje këtyre pyetjeve. Por dikush duhet të sqarojë, jo vetëm çfarë humbet një pronar fabrike, po çfarë humbet një punëtor, sa janë ata që humbasin dhe sidomos, çfarë humbet Shqipëria, nëse falimentojnë fabrikat e riciklimit?

Duhet të sqarojë gjithashtu, çfarë fitojnë shqiptarët nëse fabrikat e riciklimit shtohen? Sepse derisa të jemi sqaruar për këtë, do të vazhdoj të besoj se fabrikat e riciklimit, nuk po mbajnë në këmbë industrinë në Shqipëri, as po ulin dukshëm papunësinë, as po zhvillojnë vendin.

Do të shqetësohesha, nëse mbylleshin qendrat call center, edhe pse jam kundër tyre si koncept, por besoj se do të qe shkatërruese për momentin, falimentimi i tyre dhe nxjerrja në rrugë e mijërave të rinjve, që i kanë mundësi të vetme burimi parash.

Për call center është folur aq shumë dhe është trajtuar si histori suksesi nga politika e punësimit, ndërsa deri më sot nuk kisha dëgjuar asnjëherë që industria e riciklimit, ishte një shtyllë e fortë e ekonomisë shqiptare.

Askush, kurrë nuk ishte mburrur me të. Prej kësaj industrie kemi transmetuar vetëm lajme vdekjesh.

Nëse ajo është kaq e rëndësishme dhe do na sjellë përfitim, mundësi zhvillimi, për shqiptarët, dikush duhet ta kishte sqaruar, ndërsa po përgatitej të kalonte ky ligj i mbetjeve në parlament.

Por askush nuk e bëri. Tre ditë para kalimit të ligjit, u bënë dy emisione televizive dhe ligji kaloi.

Ndaj e gjitha po ndodh post.

Befas shoqëria civile, gazetarët, qytetarë pa lidhje me partitë, të tjerë të ndikuar nga partitë, njerëz të interesuar për plehrat dhe të tjerë me të tjera interesa, janë bërë bashkë në një kauzë: Jo plehrave në Shqipëri! Një masë e madhe dhe e shumëllojshme është kundër plehrave, pro referendumit.

Unë nuk e kam firmosur ende. Ndërsa po mendoj ta bëj, kujtoj intervistën që kam bërë në Sharrë me Ardian Klosin, që bashkë me të tjerë të ftuar, në një studio krijuar në Fushën e Plehrave, rreshtoi arsyet pse ishte kundër. Pastaj 7 vjet më pas, Roberto Saviano me shpjegoi ne Itali, çfarë mund t’i ndodhte Shqipërisë nëse i hapte dyert plehrave.

Përballë këtyre dy njerëzve kundër, kam shpjegimin e vetëm një njeriu që doli të sqarojë në çdo banak televizioni dhe parlamenti, pse duhej të sillnim plehra, në Shqipëri. Ai është Edi Shalsi. Arrogant, i vetëkënaqur, provokues, shpërfillës, ai është simboli i këtij ligji që kaloi pa sqarime, pa debat publik, edhe pse prek publikun drejtpërdrejt.

Unë sot që po mendoj të firmos referendumin, jam në dilemën, të besoj Klosin, Savianon, apo Shalsin?

Shumëçka më tepër se arsyeja, vendoset nga perceptimi. Dhe perceptimin, këtë herë, për plehrat e krijoi vetëm një njeri. Epo mbase ky qe një mësim për shumicën; kur perceptimin e krijon me Shalsin, atëherë në xhep ke ligjin, por përballë ke referendumin.

Share This Article
9 Comments
  • Rudina turp per kete shkrim! Si gazetare qe je publiku nuk do pyetje nga ju, por pergjigje qe ju duhet ti merrnit perpara se te ulesh e te shkruash me mllef kunder nje personi dhe jo te parashtrosh pse je kunder idese. Ky shkrimi yt me kujton ato grate shtepiake qe merren me thashetheme gjithe diten dhe nuk marrin mundimin te verifikojne te verteten.

  • “sa janë ata që humbasin dhe sidomos, çfarë humbet Shqipëria, nëse falimentojnë fabrikat e riciklimit?”
    jetojmë në kapitalizëm!!në shqipëri në hapat e para të tij!!
    që do të thotë në kapitalizmin fillestar,jo atë euro-amerikan!!jo në atë kapitalizmin e planifikuar!!
    prandaj kemi këtë mish-mash!!në ditët e para të kapitalizmit shqiptar pamë futje pa “doganë” të makinave të vjetra të europës dhe shumë nga ato si erdhën ashtu përfunduan!për pjesë këmbimi,pra humbje për ata që i importuan!!
    patëm hapje karburantesh në çdo kilometër,më vonë shumë falimentime dhe para të humbura!
    patëm restorante e byrektore,dyqane e turrli investimi që me kalimin e kohës pati firot e veta!pra falimentime!!
    përse u bënë këto shpenzime të mëdha dhe përse ndodhën këto humbje??
    për shakkkun e thjeshtë se u bënë pa mënd në kokë!!u bënë me mëndt e momentit!
    u importuan makina sepse importuesit e parë fituan shumë nga shitje në një vënd ku nuk egzistonin më parë si pronë private!!
    u hapën karburante sepse të parët që privatizuan ose ndërtuan fituan shumë,për shkak të urisë që kishte!!
    u hapën restorante e dyqane sepse të parët fituan shumë për shkak të mungesës së tyre!
    firoja e madhe në të gjithë këto drejtime ndodhi për shkak se patëm tejngopje!nuk mund të kishte më të njëjtin fitim si më parë!!nuk mund të fitohet njëlloj sikur të kesh një restorant për 100 banorë dhe 200 restorante për të njëjtin numër banorësh!!është llogjike ose aritmetikë e thjeshtë!!
    e njëjta gjë dhe me “indistrinë e mbeturinave”!
    u ndërtua më shumë se ishte e nevojshme!?
    duhet të falimentojë!!si çdo gjë tjetër!!
    planifikimi i përafërt bën që numri i falimentimeve të ulet!!këtë planifikim duhet ta kontrollojë vetë personi që do të investojë dhe mbi të gjitha banka që jep huatë për ndërtime!!
    por çdo gjë e ka PORin e saj!!
    sa mund të kontrollohet kjo??
    këta parellinj i bëjnë presion qeverisë dhe ndryshojnë politikat e saj!!

  • Rudina je gazetare e mrekullueshme dhe emisionet tuaja televizive i ndjek me shum perkushtim , po per dilemat tuaja per kete ligje do te pyeja : ke pyetur a e kane miratuar shtetet qe kemi per rreth si Mali i zi apo Maqedonia me Bullgarine e Serbine , apo jemi te vetmit ne Ballkan qe e miratojme . se vetem ne paskemi kete Shalsin .. Sa per referendumin edhe une do te isha kunder kesaj pseudoindustrie , po cte i besh keta politikane kemi , Ky vend nxjerr shum rradhe burra te kalibrit sic ishte Enver Hoxha .

  • Qenke bere si cupe 13 vjece.Cne plehrat mety?Lerja atyre te Top Channel te qelben me grafmen e qelbur!Ate Savianon aman,ate Roberto Savianon,ate mos e lere te prese shume,firmose te shkreten!

  • AJO QE PO VUAN SOT SHQYPNIA ME IMPORTIN E PLEHRAVE TE BOTES SHOQERUAR ME MASHTRIME TIPIKE ENVERISTE E KA ZANAFILLEN TEK “MURTAJA” BOLSHEVIKE QE MBOLLI ENVERI ME NEXHMIJEN NE SHQYPNI

    prandaj:

    O Kukumjacka e Kuqe Rudina Xhunga qe interviston kriminlet e Enverit ne emisionet e tua famoze me shume mallengjime enveriste sikur te ishin filma seriale roze pa kerkuar me pare falje per krimet e tyre monstruoze kunder njerezimit, perkundrazi duke u mburur me keto krime 25 vjet pas renies se Murit te Berlinit, ne intelektualet properendimore qe u vrane dhe u masakruan nga xhelatet e Enverit dhe Nexhmijes, shume nga ne te torturuar direkt nga MONSTRA Enver Hoxha qe ti o Rudina Xhunga i kendon elegji komuniste ne cdo emision TV, te themi:

    EDUAR SHALSI ESHTE VETEM NJE VEMJE ORDINERE E PARTISE SE PUNES, PERPARA TIJ ESHTE KRY-VEMJA EDI RAMA QE LA PAS SPIRO KOLEKA, DHE PERPARA KRYE-VEMJES EDI RAMA QENDRON SUPER-VEMJA, VARKARI I ENVERIT DHE NEXHMIJES SALI BERISHA QE MIRATOI LIGJIN E PLEHRAVE I PARI, PASI ASHTU SI EDI RAMA, KY VARKAR I FAMLJES HOXHA NUK ISHTE I AFTE TE DREJTONTE SHTETIN NE FORME LIGJORE DHE TE MENCUR DHE KERKONTE TE KOLLOSIFTE LEKAT E MAFIES ITALIANE SIC KISHTE PROVUAR ME PARE ME PIRAMIDAT E TIJ FINANCIARE.

    prandaj:

    Mos u hiq si parimore se na e shpife me hipokrizine tende te Kukumjackes se Kuqe.

  • Mbetesh nje punetore fisnike dhe pozitive e penes.nuk jam dakort me te gjitha ato qe ti shkruan dhe besoj qe kjo eshte normale por mund te them me siguri te plote qe je nje nga jo te shumtet dinjitare te mbetur ne shtypin tone
    Pune te mbare

  • Ligji per plehrat eshte nje martese me shkusi e Shalsit, e bere me detyrim e percaktim nga qelbesira e vertete qe fshihet pas tij (ligjit te plehrave), fondamentalisti i hershem ISIS-jan, nje fare Engjell Agaçi.

    Nuk di ne se te ka rene ne vesh emri i tij. Ishte nje nga ata “studentet e dhjetorit” te Kamzes (eshte nje veteriner i munguar, i riçikluar nuk dihet si e kur ne avokat me te drejte ushtrimi profesioni ne Itali.

    Vete blerja e Studios mu ne zemer te Romes, shume vite para se ti njhej e drejta e ushtrimit te profesionit te avokatit, me shifra marramendese per nje ish bythegrisur nga Lushnja qe ndante pordhat mes Jamarberit dhe Argites, tek grevonin dyshemeve te Institutit te Lopeve ne Kamez, krijon dyshime te bazuara mbi lidhjet e tij me Kamorres italiane.

    Bashkepronari i Studios ligjore eshte nje mbiemer i shumelakuar ne fushen e krimit te organizuar ne Itali.
    Eshte pikerisht kjo qelbesire myzeqare, me teorite e tij islamofobiste qe ka siguruar lidhjet me mafien e plehrave, aq kriminale e vdekje mbjellese ne popullaten e Kampanias e te Lazios italiane.

    Ndihem i tradhetuar nga perfshirja e forcuar e Shalesit ne kete krim te organizuar ne dem te shqiptareve nga psikopati i Kristait dhe Anetes e kelyshet e tij kamorriste.

    Edhe nje gje, Rduna e Xhungave, vertete CNN e BBC nuk ka fabrika riçiklimi prane objekteve te tyre, po ndryshe qendron problemi me nje tjeter kolos boteror te mediave televizive e te shkruara: me SKY !

    Te njeten gje beri edhe pushti Berluskoni me Murdock-un e Sky Tv Italia. Ne rrugen shume te njohur Salaria ne veri te Romes, ku edhe jane ndertuar godinat e Sky-it Italia, ai (Berluskoni) detyroi AMA-n e Romes (shoqeria shteterore e mbledhjes dhe perpunimit te plehrave) te ndertoje ne krah te saj Fabriken e riçiklimit te plehrave romane, ku era mbytese e tymrave qe leshon prej vitesh i ka nxire jeten jo vetem punonjesve te Sky, por edhe gjithe koloseve te tjere te industrise e teknologjise se avancuar qe posedojne godina ne zonen per rreth.

    Kujtohu çdo mengjez kur barkolando shkon ne banje per te… jashte Sharres e Kasharit ekziston nje bote e tere e pafund.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *