Kostoja njerëzore e Luftës kundër Terrorit në SHBA

anazapta

Janë të paktë ata që e kanë vënë re, por çdo ditë 22 veteranë amerikanë të luftës në Irak dhe Afganistan i japin fund jetës, edhe më shumë të tjerë hynë në listën e invalidëve. Statistikat që tregojnë se sa shumë gjak amerikan është derdhur në konfliktet e jashtme janë pak të njohura për publikun

Ushtarakët amerikanë të angazhuar në Irak dhe Afganistan ishin rreth 3 milionë deri në vitin 2013. Një studim i organizatës “Rand Corporation” nënvizon se në të dy konfliktet përfunduan 73% ushtarëve aktivë në atë periudhë dhe pjesa tjetër e mbetur u desh të vendosej në shtete të tjera me vatra terrorizmi. Ideja për të bërë luftë me pak para dhe me shumë mjete të sofistikuara doli se ishte e gabuar, si për numrin shumë të madh të të plagosurve edhe për faktin se turne të gjata e të përsëritura në zonat e luftës bënë që vetëm pak të ktheheshin të shëndetshëm fizikisht dhe psikologjikisht.

Të vdekurit tregojnë vetëm një pjesë të historisë

Operacionet “Iraq Freedom” dhe “New Dawn in Afghanistan” i kanë kushtuar Amerikës 6.600 viktima.  Për të mos folur për të plagosurit, më shumë se 1 milionë, gjysma e të cilëve janë ende sot invalidë. Përllogaritjen e dëmeve midis ushtarëve e azhornojnë shoqatat e veteranëve. Për shkak të plagëve të luftës, një numër shumë i madh ushtarësh vuajnë trauma psikike  të rënda, po aq edhe nga sëmundjet e marra nga substanca degjeneruese si uraniumi i varfëruar, acidet apo edhe mbetjet kimike që kanë helmuar një numër të madh ushtarësh përgjatë viteve.

Impresionuese janë shifrat e vetëvrasjeve midis veteranëve të luftës: vetëm në 2013-n mbi 38.364 persona kryen vetëvrasje në Shtetet e Bashkuara, rreth 8.030 prej tyre kishin qenë me misione në Afganistan dhe Irak. Sipas të dhënave të Departamentit të Veteranëve (VA), çdo ditë të vitit të kaluar 22 ushtarakë ose ish-ushtarakë i dhanë fund jetës, thuajse një në orë.

Për të plotësuar radhët e ushtrisë, rekrutuesit kërkojnë në shtresat më të margjinalizuara të shoqërisë duke ndërfutur në trupat amerikane personazhe në kërkim të identitetit, realizimit dhe lavdisë, dhe aty për aty ka nga ata që kërkojnë të plotësojnë tendencat vetëvrasëse të mbartura që më parë bashkë me depresionin apo gjendje të tjera rënda psiko-emotive.

Lufta asimetrike kushton

Në ndryshim nga konfliktet e tjera, ushtarët amerikanë kanë pësuar një stres të madh gjatë ndërhyrjeve në Irak dhe Afganistan. Ata kanë jetuar nën kërcënimin konstant të atentateve dhe pritave për muaj me radhë, duke numëruar kolegët e vrarë nga minat e bombat dhe pa e shpërfaqur kurrë fuqinë e tyre kundër një armiku që refuzon ballafaqimin e hapur.

U zbulua kështu se lufta asimetrike kushton mendërisht, shumë më shumë se një konflikt tradicional i përbërë nga ofensivat e përgjakshme. Ata akumulojnë frustrime të skajshme në pritje të sulmeve-pritë pa e provuar kurrë shijen e fitores. Edhe pse i pushtuan ato dy vende, çmimi i gjakut të pretenduar ka qenë tejet i lartë.

Pas luftës së Vietnamit, Shtetet e Bashkuara kishin mbetur larg konflikteve për dhjetëvjeçarë deri në vitin 2001, kur u harrua leksioni i mësuar nga historia dhe amerikanët u përfshinë në pushtimin e dy vendeve aspak të buta si Iraku dhe Afganistani që njihen edhe si “varret e perandorive”./Dorina Gjuzi

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *