Humbja e energjisë në rrjetin e shpërndarjes përbën një kosto të lartë për financat e shtetit shqiptar. Deficiti financiar i trashëguar ndër vite çoi në kolaps operatorët më të mëdhenj në treg duke e bërë thuajse të pamundur funksionimin e tyre dhe duke detyruar gjithnjë e më shumë qeverinë shqiptare që të marrë hua në tregjet financiare për të garantuar importin e energjisë elektrike. Qeveria mori masa drastike për përmirësimin e kësaj situate, duke kryer operacione konkrete në terren në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.
Të gjithë ata abonentë që gjenden duke vjedhur energjinë penalizohen, ndërkohë që masa represive janë marrë edhe ndaj atyre që kanë detyrime të prapambetura të faturave të energjisë. Si pasojë e kësaj situate, sipas të dhënave nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, vlera në lekë e humbjeve të energjisë elektrike për vitin 2013 arrinte në 23 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2014 në 4.7 miliardë lekë.
Një ulje kjo e nivelit të humbjeve të energjisë elektrike, duke marrë në konsideratë këtu se, rreth 20% e energjisë së konsumuar llogaritet si humbje teknike për shkak të amortizimit të rrjetit të shpërndarjes dhe transmetimit. Për më tepër, qeveria shqiptare ka marrë masa për një reduktim të mëtejshëm të këtyre humbjeve dhe kthimin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në një kompani fitimprurëse.
Të gjitha këto pritet të realizohen nëpërmjet planit të investimeve të kompanisë, ku do të ketë ndërhyrje të shumta në zëvendësimin e kabllove të shpërndarjes, kabinave elektrike dhe transformatorëve. Sipas planit të qeverisë, do të duhen 5 vjet që ky sektor të kthehet në fitimprurës dhe vetëm në këtë periudhë do të kemi tentativa për privatizimin e radhës të operatorit të shpërndarjes.