Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar sot nga detyra prokurorin e Prokurorisë së Tiranës, Kolë Hysenaj.
Vendimi për Hysenajn u dha sot, ndërsa për disa muaj me radhë, u shty seanca përfundimtare në ngarkim të tij.
Prokurori Kolë Hysenaj, u shkarkua për shkak të mosjustifikimit të pasurisë, integritetit të figurës dhe implikimit me persona të dyshuar për lidhje me krimin.
Trupa gjykuese për Hysenajn drejtohej nga Pamela Qirko me anëtarë Olsi Komicin dhe Firdes Shulin.
Në hetimin e dytë që u bë për Hysenajn u konstatua probleme për pasurinë, ndërsa që ndaj tij ishin depozituar edhe 5 denoncime të reja nga publiku.
Relatorja tha se Hysenaj nuk e kishte deklaruar pasurinë siç duhet, ndërsa përgjatë karrierës nuk kishte deklaruar asnjëherë kursime dhe para kesh. Ai nuk justifikonte rreth 26 milion lekësh.
Ndërsa Hysenaj ka këmbëngulur se deklarimet e tij kanë qenë të sakta. Prokurori deklaroi se deri në vitin 2011 kur kishte blerë për 11 milion lekë një tokë në Bërxullë të Tiranës, kishte pasur kursime 9.4 milion lekë, ndërsa nga ky vit, duke shtuar të ardhurat nga shitja e një pasurie po tokë në Fikas për 135 mijë USD dhe një makine prej 22 mijë eurosh, kishte pasur kursime që shkonin në 18 milion lekë.
o.j/dita
