Komisioni Qendror i Zgjedhjeve reagon pas mbledhjes së thirrur sot nga nënkryetari Denar Biba. Sipas KQZ-së kjo mbledhje është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe rregulloren e KQZ.
“Mbledhja e thirrur për sot nga dy anëtarët është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe Rregulloren për organizimin dhe funksionimin e KQZ-së. Në nenin 22 të Kodit Zgjedhor është përcaktuar se mbledhjet e Komisionit mund të thirren nga kryetari ose të paktën dy anëtarë të tij. Në zbatim të kësaj dispozite dy anëtarë të KQZ-se kanë ushtruar të drejtën për të thirrur mbledhjen duke përcaktuar njëkohësisht edhe rendin e ditës. Referuar nenit të sipërcituar dhe Rregullores për organizimin dhe funksionimin e KQZ-së, konstatojmë se edhe pse e drejta e dy anëtarëve për të thirrur mbledhjen e KQZ-së është një e drejtë e ligjshme, kjo kërkesë duhet të ndjekë proçedurën e parashikuar në nenin 19 pika 2, 3 dhe 4 të Rregullores së KQZ-së”, thuhet në reagimin e KQZ-së.
“Në rregulloren e KQZ-së është parashikuar që, kur kërkesa për thirrjen e mbledhjes bëhet nga dy anëtarë materialet e mbledhjes i dërgohen Drejtorive përkatëse për plotësime dhe rregullime të karakterit formal dhe në çdo rast i dërgohen Drejtorisë Juridike. Sekretari dhe Drejtoritë përkatëse pas marrjes së kësaj kërkese dhe shqyrtimit të materialeve, duhet të japin përgjigje jo më vonë se tre ditë nga marrja e tyre. Pas përmbushjes së kësaj proçedure, thirrësit e mbledhjes nënshkruajnë relacionin dhe ja dërgojnë materialet përkatëse për rendin e ditës Sekretarit të Përgjithshëm së bashku me aktin e thirrjes së mbledhjes. Ne rastin konkret, kjo proçedurë nuk është ndjekur nga thirrësit e mbledhjes, pasi kërkesa për thirrjen e mbledhjes është depozituar në orën 16.00, të ditës së mërkurë dhe njoftimi për mbledhje është bërë për ditën e sotme. Duke qënë se ky material është shpërndarë ditën e sotme, drejtoritë përkatëse nuk kanë patur në dispozicion kohën e mjaftueshme për të dhënë mendimin e tyre dhe në këto kushte këto materiale nuk janë vënë në dispoziocion të anëtarëve të KQZ-së.
Duke gjykuar se kjo mbledhje është thirrur në shkelje të procedurës së përshkruar më sipër dhe anëtarët e KQZ-së nuk disponojnë materialet, kjo mbledhje nuk mund të zhvillohet”, sqaron më tej KQZ.
Sipas KQZ-së, mbledhja e zyrtare e radhës e KQZ-së është njoftuar për ditën e nesërme dt. 28.12.2012 në orën 13.00. ku përvec çështjeve të tjera janë parashikuar për tu trajtuar edhe çështjet e mbledhjes së kërkuar nga dy anëtarët.