KQZ firmos marrëveshjen, 35 mijë maturantë informohen për zgjedhjet lokale

Bora Basholli

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Akademia e Studimeve Politike firmosën sot Marrëveshjen e Bashkëpunimit për edukimin e të rinjve mbi zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019.

Ky program zbatohet për herë të pestë në Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Fushata do të ketë në fokus mbi 35 mijë maturantë votues për herë të parë në shkollat e mesme të vendit, duke synuar informimin e tyre mbi procesin dhe nxitjen për të marrë pjesë në zgjedhje.

Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri dhe drejtori i ASP, Erion Tase theksuan eksperiencën pozitive të bashkëpunimit mes dy institucioneve, eksperiencë e cila do të ofrohet gjithashtu me synim kapacitetin strategjik të edukimit zgjedhor si dhe akreditimin e kurrikulave të trajnimit që ofrohen për trupën zgjedhore.

Pjesë e kësaj marrëveshjeje do të jetë edhe bashkëpunimi për realizimin e aplikacionit për telefonat smartphone për këto zgjedhje, me qëllim informimin e gjerë të publikut mbi procesin si dhe denoncimin e fenomeneve negative gjatë fushatës elektorale.

Programi i edukimit të votuesve për herë të parë mbështetet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, në kuadër të programit të asistencës parazgjedhore në Shqipëri.

 

 

b.b/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *