Komisioni Qendor i Zgjedhjeve do të vendosë sot në lidhje me vlerësimin e votave. Në realacionin e KQZ-së thuhet se vota të vlefshme do të cilësohen vetëm fletët e votimit, në të cilat është votuar qartësisht vetëm për njërin nga subjektet zgjedhore apo partinë politike pjesëtare të koalicionit në fletën përkatëse të votimit.
Ndërsa vota të pavlefshme janë fletët e votimit kur fleta e votimit nuk ka të njëjtën madhësi, ngjyrë ose formë me fletën e votimit të miratuar nga KQZ-ja; fletës së votimit i mungojnë vulat; në fletën e votimit janë bërë shënime apo shenja që bëjnë të pamundur vlerësimin e votës; në fletën e votimit janë bërë shënime në favor ose në disfavor të subjekteve të caktuara zgjedhore; është votuar për më shumë se një nga subjektet zgjedhore në fletën e votimit; nuk është votuar për asnjë nga subjektet zgjedhore në fletën e votimit; nuk është e qartë se për kë është votuar; ose zgjedhësi ka votuar për një person apo subjekt që nuk është në fletën e votimit.
“Bazuar në këto kritere, përvojën e fituar nga vendimet e KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor gjatë proceseve të numërimit apo rinumërimit, KQZ-së i lind si detyrë të unifikojë praktinën e vlerësimit të votave të vlefshme. Për këtë arsye KQZ-ja ka hartuar disa modele tip të fletëve të votimit të cilët i bashkangjiten këtij vendimi të cilat janë përcaktuar nga praktika si fletë votimi të vlefshme. Të gjitha fletët e tjera në të cilat nuk është votuar sipas këtyre modeleve do të konsiderohen si fletë votimi të pavlefshme”, thuhet në relacionin e KQZ-së.