KQZ shtyn për të premten mbledhjen për rishpërndarjen e mandateve

anazapta

KQZ shtyn për të premten mbledhjen për rishpërndarjen e mandateve

KQZ shtyu për në 23 nëntor mbledhjen për miratimin e pr/vendimit për caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013.

Gjatë mbledhjes së sotme, përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste në KQZ, Genci Gjonçaj, duke iu referuar të dhënave të ofruara nga Gjendja Civile mbi gjendjen aktuale të popullsisë për çdo njësi zgjedhore, tha se vërehet një dinamikë e lëvizjeve të popullatës në mënyrë jobindëse.

Nisur nga kjo, përfaqësuesit e opozitës kërkuan nga KQZ që të hetojë mbi gjendjen e popullsisë, sidomos për katër komuna në qarkun e Kukësit, të cilat, sipas Gjonçajt, rezultojnë me rritje të palogjikshme të popullatës.

“Për këtë kërkojmë hetim nga KQZ për katër komunat e Kukësit. Cilët janë personat dhe cili është dokumentacioni që kanë paraqitur dhe nga cilat komuna janë shpërngulur banorët. I kërkojmë KQZ-së shpjegime të hollësishme lidhur me pastrimet në listat e zgjedhësve të bëra nga MB, nga viti 2009 deri në nëntor 2012″, – tha Gjonçaj.

Ndërsa përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti, duke komentuar atë që e ai quajti “qëndrim mosbesues të përfaqësuesve të opozitës për të dhënat e popullsisë të ardhura nga Drejtoria e Gjendjes Civile”, tha se “ndryshimet e fundit në kodin zgjedhor synojnë pikërisht rregullimin e besimit mes palëve, sidomos në dy problematika: i popullatës dhe i listave zgjedhore”.

Lajmi i me hershem

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të vendosë sot për ndarjen e 140 mandateve të Kuvendit për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013.

KQZ-ja pritet të mblidhet (ora 11:00) për të shqyrtuar pr/vendimin “Për caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013”.

Sipas projektvendimit, konfigurimi i hartës elektorale për 12 qarqet në zgjedhjet e ardhshme pritet të jetë si më poshtë:

1. Qarku i Beratit – 7 mandate
2. Qarku i Dibrës – 6 mandate
3. Qarku i Durrësit – 14 mandate
4. Qarku i Elbasanit – 14 mandate
5. Qarku i Fierit – 16 mandate
6. Qarku i Gjirokastrës – 5 mandate
7. Qarku i Korçës – 11 mandate
8. Qarku i Kukësit – 4 mandate
9. Qarku i Lezhës – 7 mandate
10. Qarku i Shkodër – 11 mandate
11. Qarku i Tiranës – 33 mandate
12. Qarku i Vlorës – 12 mandate

(ATSH)

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *