Krasnodari nuk është aq i frikshëm dhe kjo është një arsye më shumë që Partizani duhet të besojë deri në fund se mund ta eliminojë skuadrën ruse në play-offin e Europa League për të siguruar kualifikimin historik në fazën e grupeve të këtij kompeticioni.
Pas dy fitoreve të thella në dy javët e para të kampionatit rus skuadra e trajnerit Oleg Kononov u ndal në një barazim 1-1 në transfertën e Samara nga Krylia Sovetov. Në sfidën e vlefshme për javën e tretë të Superligës ruse Krasonodari tregoi limite si në sulm ashtu edhe në mbrojtje dhe për Partizanin asgjë nuk është e pamundur edhe pse kundërshtari zotëron një potencial shumë më të madh ekonomik.
Në Metallurg Stadium në Samara, Krasondari e pa veten në disavntazh shumë shpejt sepse pa u mbushur ende 3 minuta lojë, Rodic realizoi golin e epërsisë për Krylian. Vendasit patën disa mundësi të tjera në pjesën e parë për të dyfishuar shifrat por nuk ia arritën qëllimit. Kundërpërgjigja e Krasnodarit erdhi në pjesën e dytë, teksa në minutën e 52-të sulmuesi kryesor i miqëve Fedor Smolov barazoi rezultatin. Skuadra e Krylias e cila vinte në këtë sfidë pas dy humbjeve në dy ndeshjet e para të kampionatit e kërkoi me ngulm deri në fund golin e fitores por pa mundur të gjejë atë.
Me pikën e marrë Krasnodari u ngjit në kuotën e 7 të tillave dhe vazhdon të kryesojë kampionatin pas 3 javëve të para por tashmë me pikë të barabarta me Spartakun e Moskës dhe Cska-në e Moskës. Ndeshja e parë mes Krasnodarit dhe Partizanit për fazën play-off të Europa League do të zhvillohet të Enjten e ardhshme në Rusi.
