Kredia 230 mln euro, vartësit mbrojnë Boden dhe Shehun

redaktor

Ish-anëtarët e Komisionit të Ofertave në Ministrinë e Financave, marrin në mbrojtje shefat e tyre, ish-ministrin Ridvan Bode dhe zëvendësministrin Sherefedin Shehu.

Prokuroria ka marrë në pyetje këto ditë në cilësinë e personave që kanë dijeni ish-zyrtarët e MF, por ata janë justifikuar se 230 milionë eurot e marra për rrugën Durrës-Kukës ishin “kredi sindikale”, e miratuar nga Qeveria dhe më pas e votuar në Kuvend, nën mbikëqyrjen e institucioneve ndërkombëtare financiare.

Burime nga organi i akuzës thanë se ish-anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave pranë Ministrisë së Financave, kanë mbajtur qëndrim të njëjtë, të pyetur në lidhje me kallëzimin ndaj Ridvan Bodes dhe Sherefedin Shehut.

Ata kanë pretenduar se e gjithë procedura e ndjekur prej tyre është miratuar me vendim kolegjial të Këshillit të Ministrave dhe më pas Kuvendit.

Sipas tyre, si në ndjekjen e procedurës dhe më pas shpalljen e fituesit për kredinë sindikale prej 230 mln euro, ka një vendim kolegjial dhe jo veprime individuale të ish-ministrit apo ish-zëvendës ministrit. Ish-zyrtarët shpjeguan se në vitin 2009, për shkak të krizës, monitoroheshin edhe nga ndërkombëtarët për këtë kredi.

Por sipas denoncimit të Ministrisë së Financave, Bode dhe Shehu kanë anashkaluar të gjitha procedurat për tenderim dhe ofertat, duke zgjedhur rrugën preferenciale dhe shkaktuar një dëm ekonomik prej 60 mln eurosh. Por ish-anëtarët e Komisionit të Ofertave u mbrojtën duke thënë se “kredia sindikale është marrë mbi bazën e ligjit për Buxhetin e Shtetit dhe ligjin për huamarrjet”.

Prokuroria e Tiranës shpjegon se pasi të verifikojë provat dhe dëshmitë, do vendosë nëse ka elementë të veprës penale “shkelje të barazisë në tenderë” dhe “shpërdorimit të detyrës”. Sipas ministrit Shkëlqim Cani, Bode dhe Shehu në vitin 2009 kanë marrë një kredi sindikale me arsyetimin e mbështetjes buxhetore për investimet e qeverisë, por që ka përfunduar në buxhetin e ndërtimit të “Rrugës së Kombit”, Durrës-Kukës-Morinë dhe me interesa shumë të larta, duke shkaktuar dëm ekonomik.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *