Kredia në dollarë është rritur ndjeshëm gjatë vitit 2014. Megjithëse ekonomia shqiptare ka vite që ka hyrë në një cikël të euroizimit, duke se ka ende sektorë dhe subjekte të interesuar për kredinë në monedhën amerikane.
Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, kredia në dollarë amerikanë në janar të këtij viti kishte vlerën e 44.6 miliardë lekëve, 30% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Nëse në fillim të vitit 2014 kredia në dollarë zinte rreth 6.4% të kredisë për ekonominë, në janar të këtij viti pesha e kredisë në dollarë është rritur në 8.2%. Të dhënat e detajuara sipas subjekteve dhe përdorimit, tregojnë se kredia në dollarë amerikanë merret në masën dërrmuese prej bizneseve.
Bizneset zotërojnë mbi 96% të totalit të kredisë në dollarë amerikanë dhe qëllimi i këtyre kredive është kryesisht për përdorim afatshkurtër, si overdraft apo kredi për kapital qarkullues.
Kredia në dollar përdoret kryesisht nga bizneset që kanë marrëdhënie biznesi me vendet ku përdoret si monedhë kryesore tregtie dollari amerikan, ose prej atyre bizneseve të cilat blejnë lëndë të para, çmimet e të cilave kuotohen në monedhën amerikane.
Interesat e dollarit amerikan në vitet e fundit kanë qenë mjaft të ulëta, për shkak të ciklit të gjatë politikës monetare stimuluese të ndjekur nga Rezerva Federale.
