Nuk besoj se ka ndonjë individ që nuk ka një marrëdhënie me kreditimin bankar. E në fakt është një mënyrë e mirë për të siguruar një shtëpi, nisjen e një biznesi, zgjerimin e tij, apo qoftë dhe për nevoja të tjera të jetës. Kjo ka bërë që bankat si biznes të kenë një ecuri të shpejtë dhe në zgjerim. Edhe pse kreditë e këqija mbeten në statistika problematike për sistemin bankar, kjo e fundit operon me kredidhënie, por duke mbajtur interesa të larta dhe kushte të forta.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në vitet e fundit, kreditimi i ekonomisë është orientuar më shumë drejt lekut. Ulja e normave të interesit dhe zhvendosja e ofertës së bankave në monedhën vendase ka bërë që individët dhe bizneset të vlerësojnë më shumë përfitimet nga kreditimi në monedhën e të ardhurave, duke shmangur edhe rrezikun e kursit të këmbimit. Megjithatë, mbështetur këto të dhëna, kredia në euro ende sot është më e lirë krahasuar me kredinë në lekë, të paktën në vlerat mesatare.
Sipas Bankës Qendrore, në nëntor të vitit 2014 kredia në euro, për të gjitha maturitetet, jepej me një interes mesatar prej 6.2%, ndërsa për kredinë në lekë interesi mesatar ishte 8.2%. Mbështetur në këto shifra, kredia në lekë është mesatarisht 30% më e shtrenjtë krahasuar me atë në monedhën e përbashkët europiane. Sidoqoftë, diferencat në normat e interesit janë ngushtuar ndjeshëm, po të kemi parasysh se pesë vjet më parë kredia në lekë, e matur si interes i thjeshtë mesatar, ishte rreth 70% më e shtrenjtë.
Politika monetare nxitëse e Bankës Qendrore dhe ulja e normës bazë në vlerat më të ulëta historike, deri në nivelin 2% ku qëndron aktualisht, kanë ulur çmimin e huave në monedhën vendase. Euro ngelet sidoqoftë më e lirë, edhe për shkak të diferencës në normën bazë të interesit, që për monedhën europiane është praktikisht zero. Jo vetëm kaq, por Banka Qendrore Europiane dhe Banka e Shqipërisë aplikojnë norma interesi negative për vendosjet në euro të bankave tregtare, çka bën që bankat të mos kenë interes të mbajnë tepricë fondesh të lira, sepse kjo sjell një kosto që nuk mund të transferohet te klientët.
Rrjedhimisht, kreditimi në euro është më i lirë, por në rastin kur të ardhurat e individit apo biznesit janë në monedhë tjetër, në marrjen e një kredie afatgjatë duhet vlerësuar gjithmonë rreziku i kursit të këmbimit. Zhvlerësimi i monedhës së të ardhurave mund të anulojë përfitimet nga diferencat në normat e interesit.
Kreditimi drejt përmirësimit
Por tej problematikave të interesave të larta, apo rrezikut për rritjen e kredive me probleme, kredia për ekonominë ka vijuar të rritet në vjeshtën e vitit të kaluar. Rritja vjetore e saj rezultoi 3.8% në fund të muajit nëntor, nga 1.6% që shënonte në fund të tremujorit të tretë të vitit. Zhvillim pozitiv dhe i qëndrueshëm është rritja e dukshme e kreditimit në lekë, kundrejt një ecurie të dobët të atij në valutë, duke ndihmuar kështu një përcjellje më të mirë të stimulit monetar në ekonomi.
Kredia në lekë u rrit me 9.3% në terma vjetorë në muajin nëntor, ndërkohë që kredia në valutë është tkurrur me 0.9% kundrejt vitit të kaluar. Përmirësimi i dinamikës vjetore ka rezultuar kryesisht si rrjedhojë e shuarjes së efektit statistikor të ardhur prej reduktimit të pazakontë të kredisë në muajin tetor të vitit 2013.
Zhvillimet mujore në kredi kanë qenë më të dobëta krahasuar me tremujorin e tretë të vitit,momenti pozitiv i të cilit nuk zgjati përtej muajit gusht. Raporti i kredisë ndaj PBB-së vlerësohet në 37.4% në fund të tremujorit të tretë të vitit 2014, ose rreth 0.6 pikë përqindje më i ulët se një vit më parë. Kredia për sektorin privat rritet në mënyrë të segmentuar dhe rimëkëmbja e qëndrueshme e saj vijon të pengohet nga kundërshtia e lartë ndaj rrezikut e agjentëve ekonomikë. Bankat vazhdojnë të jenë të kujdesshme në kredidhënie, veçanërisht në financimin e bizneseve.
Nga ana tjetër, edhe kërkesa për kredi është më e përqendruar në segmentin afatshkurtër. Kredia për biznese ka qenë nxitësi kryesor i rritjes së kredisë për sektorin privat. Ajo ka regjistruar fluks pozitiv në këta dy muaj, kryesisht në formën e financimit afatshkurtër. Në fund të muajit nëntor, rritja vjetore e saj ishte 5.1%, ose 2.4 pikë përqindje më e lartë se në fund të tremujorit të tretë të vitit.
Gjatë këtyre dy muajve, bankat kanë financuar kryesisht sektorin e industrisë, në të gjitha degët e tij, dhe atë të ndërtimit. Kredia për individë ka vijuar të shfaqet e plogësht edhe në muajt tetor dhe nëntor. Në këta dy muaj, fluks pozitiv ka regjistruar vetëm kredia konsumatore, ndërkohë që ajo për pasuri të patundshme është tkurrur. Rritja vjetore e kredisë për individë shënoi 0.9% në fund të muajit nëntor, nga 0.4% që shënonte në fund të tremujorit të tretë të vitit.
