Kreditë me probleme, apo kreditë e këqija janë kthyer në një shqetësim për sistemin bankar. Si rrjedhojë e kësaj prej kohësh po diskutohen si të rregullohen të paktën bilancet e bankave të nivelit të dytë. Dje në komisionin e Ekonominë dhe Financave është miratuar projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar”, që pritet t’u vijë në ndihmë bankave në fshirjen e kredive me probleme. “Ndryshimi propozohet në një nen të vetëm të projektligjit dhe përcakton fshirjen e borxheve të bankave. Ndryshimi është i përcaktuar në udhëzim, por me kërkesë të shoqatës së bankave, Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, u ra dakord që ndryshimi të bëhet edhe në ligjin përkatës. Ky ndryshim ul dhe përmirëson bilancet e subjekteve bankare dhe jo bankare të licensuara nga Banka e Shqipërisë”, ishte sqarimi i bërë nga numri dy i financave, Ervin Mete para ligjvenësve kuvendorë.
Si do të bëhet “fshirja” e kredive të humbura
Në rregulloren e re, që do të hyjë në fuqi më 1 janar 2015, Banka e Shqipërisë saktëson se, përveç kushteve të tjera, kredia quhet e humbur pasi banka ka depozituar te përmbaruesi gjyqësor kërkesën për fillimin e procesit të ekzekutimit të detyrueshëm të kolateralit. Në rastet kur kredia nuk është e siguruar me kolateral, kredia mund të quhet e humbur pasi gjykata ka lëshuar urdhrin e ekzekutimit. Ndryshimi i dytë i rëndësishëm i miratuar nga Banka e Shqipërisë lidhet me kushtet e fshirjes së kredive të humbura nga bilancet. Rregullorja aktuale nuk përcakton afate kohore për fshirjen e kredive të humbura dhe vendimmarrja për këtë i lihet vlerësimit të këshillit drejtues të bankës tregtare. Sipas rregullores së re, kreditë e humbura nuk mund të mbahen në bilance për më shumë se tre vjet, me përjashtim të rasteve të veçanta kur banka mund të argumentojë mundësinë efektive të shlyerjes së kredisë, mbështetur në analizën e gjendjes financiare të kredimarrësit dhe në cilësinë e kolateralit. Në varësi të karakteristikave të një kredie specifike, si: shumës së mbetur, kolateralit, garantorit, ecurisë dhe rezultateve të proceseve gjyqësore, kur kreditë klasifikohen si të “humbura”, bankat krijojnë provigjione në masën 100% të shumës së pashlyer dhe, për pjesën për të cilën nuk ka shpresa të arsyeshme për rimarrjen e tyre, i fshijnë ato nga bilancet. Për shkak të specifikave të këtij sistemi, konkretisht në projektligjin e propozuar dje në nenin 24 të shtohet një paragraf, ku përcaktohet një procedurë e veçantë për fshirjen e borxhit të keq nga bankat. Sipas këtij paragrafi, degëve të bankave të huaja dhe subjekteve financiare jobanka, të licencuara nga Banka e Shqipërisë për ushtrimin e veprimtarisë së kredidhënies, në përcaktimin e fitimit të tatueshëm, fshirja e borxhit të keq lidhur me procesin e kredidhënies njihet si shpenzim i zbritshëm me plotësimin e afateve: 365 ditë pas depozitimit të kërkesës, për fillimin e procedimit të ekzekutimit të detyrueshëm te përmbaruesi, në rast se kredia është e siguruar me pasuri të luajtshme ose të paluajtshme; 365 ditë pas lëshimit nga gjykata të urdhrit të ekzekutimit, në rast se kredia nuk është e garantuar me pasuri të luajtshme/të paluajtshme. Rregullimi me ligj i kësaj dispozite, pavarësisht nga përcaktimi në udhëzim, eviton interpretimet e ndryshme dhe qartëson procedurat për procesin e fshirjes së kredive të këqija për bankat. Të gjitha këto ndërhyrje synojnë heqjen e pengesave për fshirjen nga bilancet e bankave të kredive të humbura dhe pa shpresë kthimi me shpresën se kjo do të sillte një rritje të kreditimit në ekonomi.
Kredia dhe në shkurt pësoi rënie
Kreditimi për ekonominë ka vazhduar të jetë me probleme në muajin Shkurt. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, gjatë Shkurtit kredia ra me afro katër miliardë lekë krahasuar me Janarin, ndërsa me bazë vjetore rënia arriti në 2 për qind. Në kushtet e kërkesës së dobët dhe të ofertës së shtrënguar, kreditimi vazhdon të jetë në ngërç. Goditjen kryesore në rënien e muajit Shkurt e dha kredia për biznesin, e cila ra me rreth 3.5 miliardë lekë. Në kushtet e kërkesës së dobët konsumatore dhe pesimizmit të përgjithshëm, sipërmarrja po qëndron në pozita pritëse. Shpresat për një përmirësim të lehtë janë të varura te shlyerja e detyrimeve të prapambetura të qeverisë. Kreditimi i ekonomisë është pjesë e rëndësishme e programit të bashkëpunimit me FMN dhe bankën Botërore. Shlyerja e detyrimeve, së bashku me një sërë masash që synojnë uljen e shkallës së kredive me probleme, synojnë të përmirësojnë gjendjen e bilanceve të sipërmarrjeve dhe të bankave, çka besohet se do të mund të kthejë gradualisht besimin te aktorët e tregut dhe të çbllokojë kreditimin. Viti 2014 nuk ka nisur mirë as për depozitat, që ranë në Shkurt për të tretin muaj radhazi. Krahasuar me Janarin, depozitat u tkurrën me 3.7 miliardë lekë, ndërsa me bazë vjetore rritje është pozitive, ndonëse në përmasa modeste, me 1.4 për qind.
