Kreditë me probleme, plan veprimi strategjik nga Banka e Shqipërisë

redaktor

Kreditë me probleme edhe pse kanë patur një ulje të lehtë muajt e fundit, mbeten problem për sistemin bankar. Ulja e nivelit të tyre ishte objekti kryesor i diskutimeve në forumin e tretë financiar, që mblodhi në një tryezë diskutimi përfaqësues të qeverisë, Bankës së Shqipërisë dhe bankave tregtare.

Palët diskutuan rreth mekanizmave për të ulur nivelin e kredive me probleme dhe që do të adresohen së shpejti në një plan veprimi gjithëpërfshirës, me një qasje strategjike të koordinuar nga të gjithë grupet e interesit. Ndër çështjet që duhen adresuar janë nevoja për mbështetjen e skemave të ristrukturimit vullnetar të borxhit, të cilat do të mundësonin zgjidhje të tij jashtë gjykatave; rritja e transparencës së pasqyrave financiare të huamarrësve; përdorimi i instrumenteve tatimore dhe mbikëqyrëse për nxitjen e ristrukturimit dhe zgjidhjes së borxhit etj.

Për të adresuar çështjet ligjore që pengonin zgjidhjen e shpejtë të kredive me probleme, pjesëmarrësit ranë dakord që projekti i Ministrisë së Drejtësisë për të bërë ndryshime në ligjin për falimentimin është një mundësi e mirë për të hequr disa prej këtyre pengesave. Gjatë Forumit pati sesione të dedikuara që trajtuan me hollësi jo vetëm ndikimin e kredive me probleme mbi rritjen ekonomike, por edhe ndërveprimin e tyre me çështje të stabilitetit financiar dhe përshtatshmërinë e sistemit ligjor.

Pjesëmarrësit shkëmbyen informacione dhe mendime mbi masat e marra nga Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Ekonomisë dhe Banka e Shqipërisë për përmirësimin e mjedisit ligjor, rregullator dhe operacional, në mbështetje të përpjekjeve të bankave për trajtimin e kredive me probleme. Me interes të veçantë u ndoqën diskutimet mbi çështjet ligjore që pengonin zgjidhjen e shpejtë të kredive me probleme.

Në forum u identifikuan dhe u diskutua rreth disa problematikave dhe çështjeve të tjera, adresimi i të cilave do të jetë pjesë e planit të veprimit që do të mbështesë qasjen strategjike të autoriteteve për trajtimin e çështjes së kredive me probleme.

Diskutimet treguan se kreditë me probleme pasqyrojnë dhe kontribuojnë në brishtësinë e institucioneve dhe të ekonomisë shqiptare. Ulja e nivelit të kredive me probleme kërkon një qasje gjithëpërfshirëse, të bashkërenduar dhe të qëndrueshme, për përmirësime në fushën ekonomike, legjislative, administrative dhe institucionale. Përvoja e deritanishme duhet të shërbejë për ndërtimin e një sistemi që do ta trajtojë me eficiencë problemin e kredive me probleme.

Në përfundim të forumit, Guvernatori Sejko theksoi se ndonëse sektori bankar është i mirëkapitalizuar dhe mjaft likuid, zgjidhja e kredive me probleme është faktor thelbësor për përmirësimin e qëndrueshmërisë së sektorit dhe rritjen e kreditimit, me ndikim të drejtpërdrejtë në mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *