I vetmi sinjal pozitiv ka rdhur në dhjetor nga bankat e nivelit të dytë. Pas një një periudhe të vështirë në trajtimin e çështjes së kredive të këqija, ka arritur të ndryshojë tendencën. Kreditë me probleme të sistemit bankar janë ulur në muajin dhjetor 2012 pas rreth tre vitesh në rritje të vazhdueshme. Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, kreditë me probleme në fund të dhjetorit ranë në 22.5%, nga 23% që ishin në nëntor. Përkeqësimi i portofolit të kredisë ka qenë problemi kryesor për bankat që nga fillimi i krizës dhe ka pasur një ndikim të konsiderueshëm si në rezultatet financiare, ashtu edhe në gatishmërinë e bankave për të dhënë kredi të reja. Duke u mbështetur në rezultatet financiare ende të paaudituara, fitimi i sistemit bankar për vitin 2012 kishte vlerën e afro 3.8 miliardë lekëve, pesë herë e gjysmë më shumë se në vitin 2011. Nga 16 banka, të paktën 13 prej tyre raportuan rezultat financiar pozitiv, vetëm dy deklaruan humbje, ndërsa njëra nga bankat nuk i ka publikuar ende rezultatet. Përveçse rritën fitimet, bankat konsoliduan edhe gjendjen e kapitalizimit. Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit u rrit në 16.2%, nga 15.6% që ishte në fund të vitit paraardhës. Statistikat e dhjetorit megjithatë konfirmuan se rritja e kreditimit për vitin e kaluar ishte e ngadaltë. Portofoli i kredisë u rrit rreth 2% me bazë vjetore, rritja më e ulët në më shumë se një dekadë. Rritja ka ardhur nga segmenti i biznesit, ku huadhënia është rritur me 2.6%, ndërsa kreditimi i individëve edhe për vitin 2012 ka rezultuar në rënie.
Leave a comment