Bankat e nivelit të dytë, tashmë po vuajnë pasojat e kredive me probleme që nga viti në vit kanë pësuar rritje të ndjeshme. Sipas të dhënave statistikore të Bankës së Shqipërisë fitimi i sistemit bankar arriti në 1.5 miliardë lekë për tremujorin, duke shënuar një rënie prej 36 për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku ndikimin kryesor në përkeqësimin e treguesve të fitimit e ka dhënë rritja e shpejtë e shpenzimeve për provigjionime (fondet për mbulimin e huave që nuk kthehen në afat), teksa kreditë me probleme po vazhdojnë rritjen e pandalshme. Shpenzimet për provigjionime u rritën me gati 300 për qind me bazë vjetore në 7.8 miliardë lekë për gjashtëmujorin e parë 2013, referuar gjithnjë të njëjtave statistika. Kreditë me probleme në fund të tremujorit të dytë arritën në 24.4 për qind të totalit, duke u rritur me 0.4 pikë përqindjeje në raport me tremujorin e parë, nga 22.8 për qind që ishin në fund të vitit 2012. Problematike në tremujorin e dytë të vitit është bërë rritja e huasë së humbur. Këto kredi kanë arrritur në 9.2 për qind të totalit në fund të tremujorit të dytë 2013, nga 7.96 për qind në fund të tremujorit të parë dhe 7.7 për qind në dhjetor 2012.
Statistikat
Kredia në euro bie në 61 për qind
Gjysma e parë e vitit ka shënuar ulje të kreditimit në valutë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se totali i kredisë në valutë të huaj në fund të muajit qershor ishte afro 342 miliardë lekë, me një rënie prej 3,4 për qind krahasuar me një vit më parë, duke zbritur në këtë mënyrë në 61 për qind të totalit nga 64 për qind që zinte vitin e kaluar. Rënien e kreditimit në monedhën e huaj e ka bërë më të mprehtë problemin e kredisë në valutë, duke pasur parasysh se shumica e shqiptarëve i kanë të ardhurat e tyre në lekë. Kjo i ekspozon përballë rrezikut të kursit të këmbimit, ndaj Banka e Shqipërisë prej vitesh insiston që kredia të merret në monedhën e të ardhurave. Për këtë arsye, bankave u janë vendosur masa rregullatore kufizuese, përmes të cilave ju kërkohet më shumë kapital për mbulimin e kredive që janë të ekspozuara ndaj rrezikut të kursit të këmbimit. Një faktor tjetër që ka kufizuar kreditimin në valutë është edhe vështirësia në rritje për sigurimin e fondeve në valutë. Siç dihet, sistemi bankar shqiptar zotëron pjesën më të madhe të depozitave në lekë, ndërsa mbi 60 për qind e kredisë është në valutë të huaj. Për arsyet e mësipërme, kreditimi në euro i vendos herë pas here bankave në nevojën e kufizimit të kreditimit në valutë, për të ruajtur parametrat e detyrueshëm rregullatorë të kapitalizimit dhe likuiditetit.
