Viti akademik mbyllet në përfundim të sezonit të vjeshtës. Kandidatët që deri në këtë hark kohor nuk kanë grumbulluar sasinë minimale të krediteve të kërkuara, humbasin të drejtën për të kaluar në vitin e dytë. Sipas përcaktimeve të bëra nga Universiteti Politeknik i Tiranës bëhet me dije se për programet e studimit të ciklit të parë dhe të dytë, studenti i vitit të parë kalon në vitin e dytë nëse ai ka marrë jo më pak se 50 për qind të krediteve (rreth 30 kredite) të vitit të parë. Për programet e studimit të ciklit të parë studenti i vitit të dytë kalon në vitin e tretë, nëse ai ka marrë jo më pak se 80 kredite, nga të cilat 50 kredite duhet t’i përkasin vitit të parë.
Ndërsa për programet e integruara të studimit të ciklit të dytë, studenti i vitit të tretë kalon në vitin e katërt, nëse ai ka marrë jo më pak se 140 kredite, nga të cilat 50 kredite duhet të jenë nga viti i dytë. Studenti i vitit të katërt kalon në vitin e pestë, nëse ai ka marrë jo më pak se 200 kredite, prej të cilave 50 kredite duhet të jenë siguruar gjatë vitit të tretë. Studenti që nuk plotëson kriteret për të kaluar në vitin pasardhës ka këto të drejta e detyrime: “I njihen të gjitha detyrimet e shlyera kur programet e lëndëve përkatëse janë të pranueshme për vitin në vazhdim, mund të frekuentojë lëndët për të cilat është vlerësuar mbetës dhe është i detyruar të frekuentojë lëndët për të cilat ka detyrim frekuentimin, duhet të shlyejë detyrimet e reja që lindin për shkak të ndryshimit të planit e programeve mësimore, duhet të paguajë tarifën e shkollimit”.