Ashtu sic e kishim lajmeruar pak ditë më parë në “Dita”, kreditimi mbetet problematik për sipërmarrjen. Fakti tashmë konfirmohet dhe nga shoqata e bankave, duke konfirmuar faktin se kreditimi gjatë këtij viti po rritet me ritme mjaft të ngadalta. Në fund të 9-mujorit, rritja e kredisë ishte 2.8% që nga fundi i vitit të kaluar. Sistemi bankar është pothuajse i ndarë më dysh mes bankave që vazhdojnë të rrisin kreditimin, ndonëse në mënyrë të kujdesshme dhe bankave të tjera që po e kanë ulur vlerën e portofolit të kredisë.
Sipas rezultateve të paaudituara nga Shoqata e Bankave, Credins e ka rritur kreditimin me 7.7%. Në rritje pozitive edhe Raiffeisen, që megjithë politikën e re shumë konservatore të imponuar nga grupi, këtë vit e ka rritur portofolin e kredisë me 0.5%. Dy bankat e tjera të mëdha, Intesa SanPaolo dhe Tirana Bank kanë vijuar një qëndrim të kudjesshëm dhe e kanë ulur vlerën e portofolit të kredisë, përkatësisht me 4.8% dhe 4.7%. Ndër bankat e mesme dhe të vogla, qëndrim aktiv në kreditim kanë mbajtur Fibank, që e ka rritur portofolin e kredisë me 39%, Veneto Banka me 22.2%, Union Bank me 13.4% dhe Societe Generale me 10%.
Dy bankat e tjera greke, NBG Bank dhe Alpha Bank kanë vazhduar tërheqjen edhe gjatë këtij viti, ndërkohë që në rënie është edhe portofoli i ProCredit Bank. Të ndodhura përballë ekonomisë që po përkeqësohet dhe kredive me probleme që po rriten, pa dyshim që bankat po tregojnë një kujdes të lartë. Por, një pjesë e tyre po vazhdojnë të rrisin kreditimin, ndonëse jo në përmasa të mëdha, ndërsa një pjesë tjetër ka preferuar të mbajë një qëndrim më të tërhequr dhe të kujdeset për menaxhimin e portofolit të mbetur.