Banka e Shqipërisë ka miratuar një rregullore të re, e cila është bërë publike në fletoren zyrtare, kufizon hapësirat që bankat private të abuzojnë me kredimarrësit.
Rregullorja mbulon kreditë konsumatore dhe ato që merren për shtëpi apo pasuri të tjera të paluajtshme, të cilat ndryshe njihen si kredi hipotekore.
Sipas saj, përmes një formulari të paracaktuar standard, bankat detyrohen të vënë në dijeni kredimarrësit për normën reale të interesit dhe çdo komision apo kosto tjetër që ata do të paguajnë për kredinë, përfshirë ato që konsiderohen si kosto të fshehura.
Paralelisht, rregullorja u jep të drejtën konsumatorëve të tërhiqen nga kredia edhe pasi e kanë nënshkruar kontratën me bankën, pa qenë të detyruar të japin shpjegime për këtë vendim.
E drejta e tërheqjes nga kontrata e kredisë hipotekore
Sipas rregullores, konsumatori ka të drejtë të tërhiqet nga kontrata e kredisë, pa dhënë ndonjë arsye për këtë, duke njoftuar me shkrim bankën brenda një periudhe kalendarike 7 (shtatë) ditore. Ky afat fillon nga dita e nënshkrimit të kontratës ose nga data kur konsumatori merr dijeni për kushtet kontraktuale, nëse kjo e fundit është e mëvonshme.
Nëse kredia është disbursuar dhe përfituar nga konsumatori dhe nëse ky i fundit ushtron të drejtën për t’u tërhequr nga kontrata, banka njofton konsumatorin për vlerën e kredisë që duhet t’i rikthehet prej tij.
Kjo vlerë përbëhet nga shuma e kryegjësë dhe e interesit për ditët përkatëse, si dhe shpenzimet e mundshme të bankës të krijuara nga veprime me palë të treta për efekt të disbursimit të kësaj kredie.
Nëse konsumatori ushtron të drejtën për t’u tërhequr nga kontrata përpara disbursimit të kredisë, banka ka të drejtën e kompensimit vetëm për shpenzimet e mundshme të bankës, të krijuara nga veprime me palë të treta, për efekt të kësaj kredie.
Shpenzimet e mundshme të bankës të krijuara nga veprime me palë të treta për efekt të kredisë, përfshihen në çdo rast në informacionin kontraktor.
Nëse një konsumator tërhiqet nga kontrata e kredisë, edhe bashkëkredimarrësi ose personi që ka hyrë në detyrime kontraktore duke dhënë garanci për detyrimet e konsumatorit, sipas kësaj kontrate, tërhiqet nga kontrata e kredisë ose tërheq garancinë/të e vendosura prej tij për ekzekutimin e kontratës.
