Kreditimi në ekonomi vijon të mbetet problematik dhe akoma nuk po gjen rrugën e duhur. Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë për tre mujorin e parë të vitit flasin jo vetëm për mungesë kreditimi, por dhe rritjen e kredive me probleme. Megjithatë likuidimi që qeveria po i bën sipërmarrjes për detyrimet e punëve të kryera ndër vite, pritet që të japë efekte pozitive në kredimarrje apo dhe në ulje të kredive me probleme. Por të dhënat e këtij tremujori flasin për mungesë të përmirësimit në kreditimin e ndërmarrjeve. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kredia totale për biznesin në fund të Marsit ishte 391 miliardë lekë, tre miliardë lekë më pak krahasuar me fundin e vitit 2013. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, totali i kredisë është akoma më i ulët, me 12 miliardë lekë më pak. Sektorët më të kredituar në vitet e fundit, si tregtia, ndërtimi dhe hoteleri-turizmi paraqiten të gjitha në rënie. Kredia për tregtinë është tkurrur me pesë miliardë lekë, duke zbritur pranë vlerës së 133 miliardë lekëve, ndërsa kredia për ndërtimin ka rënë me pothuajse 10 miliardë lekë, për një vlerë totale prej 53 miliardë lekësh. Në një mjedis ekonomik pesimist, bankat nuk kanë arritur të gjejnë sektorë alternativë për të financuar. Sektorët kryesorë prodhues, si bujqësia apo industria përpunuese kanë regjistruar një rritje, por në përmasa të papërfillshme. Kredia për industrinë përpunuese arriti në 57 miliardë, një miliardë lekë më shumë krahasuar me një vit më parë. Ndërsa kredia për bujqësinë vazhdon të ketë përmasa të papërfillshme, me rreth 6 miliardë lekë, megjithëse është në rritje me 500 milionë lekë krahasuar me vitin e kaluar. Kredia për sipërmarrjen përbën mbi 66% të totalit dhe si e tillë ngelet përcaktuese në prirjet e financimit të ekonomisë. As tre muajt e parë të këtij viti nuk sollën zhvillime të rëndësishme pozitive. Biznesi dhe bankat po qëndrojnë në pozicione të kujdesshme, në pritje të ditëve më të mira.
Huatë me probleme rriten, kalojnë sërish mbi 24%
Kreditë që bizneset apo individët nuk kthejnë në afatin e duhur kanë shënuar sërish rritje në tremujorin e parë të vitit 2014, pas një reduktimit në muajt e fundit të vitit të kaluar. Sipas statistikave tremujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë, totali i kredisë me probleme ndaj kredisë gjithsej ishte 24.08% në fund të tremujorit të parë 2014, nga 23.22% në dhjetor 2013. Me ritme më të shpejta janë rritur huatë nënstandarde, që u zgjeruan me 1 pikë përqindjeje në raport me fundin 2013-s. Huatë e humbura kanë vijuar rritjen, ndonëse me ritme më të ngadalta nga sa u konstatua gjatë vitit të kaluar. Në fund të marsit, pesha e huave të humbura ishte 11.98%, nga 11.45% në dhjetor. Kredia me probleme është rritur me shpejtësi pas vitit 2008, kur ishte rreth 6% e totalit, duke arritur sot në nivelet më të larta të rajonit.
