Kredidhënia mbetet ende problematike. Konfirmimi vjen nga të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë, ku konfirmohet se për muajin janar 2014 kredia për ekonominë rezultoi në rënie vjetore me 1.2 për qind. Madje portofoli i kredisë ra me 3.3 miliardë lekë krahasuar me fundin e dhjetorit. Këto të dhëna tregojnë se tregu ende nuk po njeh zhvillime pozitive, kryesisht në reflektim të dobësisë së ekonomisë reale, por edhe për shkak të ofertës së shtrënguar të bankave. Treguesit e mos kreditimit të ekonomisë janë dëshmi e qartë që në nisje të vitit 2014 aktiviteti financiar po lëviz me vështirësi dhe rënia e konsumit ka ulur aktivitetin e biznesit ndjeshëm poshtë kapaciteteve. Gjithsesi fondi i kredisë me interesa të buta dhënë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, pritet t’i japë një shtysë pozitive kreditimit nga bankat e nivelit të dytë, për shkak të frymëmarrjes që pritet t’i jepet biznesit.
Rriten dhe interesat e kredive në janar
Një tjetër problem me kreditimin është dhe që gjatë muajit janar bankat e nivelit të dytë rritën interesat e kredive. Të njëjtat statistika të Bankës së Shqipërisë, tregojnë se norma mesatare mujore e kredisë së re në lekë për të gjitha afatet e maturimit, në janar u rrit në rreth 9.2 për qind, nga 8.8 për qind që kishte zbritur në muajin dhjetor. Kjo rritje erdhi teksa në dhjetor, Banka e Shqipërisë kishte lehtësuar politikën monetare, duke e zbritur atë në 3 për qind. Bankat reaguan në rritje, duke ndjekur interesat e bonove, që në janar u zgjerua lehtë, teksa qeveria nuk arriti të financonte gjithë borxhin e saj. Siç duket ka qenë ky mosreagim i bankave, që duket që e detyroi Bankën e Shqipërisë të ulte sërish normën bazë në fund të shkurtit në një minimum historik prej 2.75 për qind dhe një ditë më vonë t’u kërkonte bankave në një takim që të ulnin normat e interesit. Ndërkohë dhe kredia për ekonominë shënoi një tjetër tkurrje në janar. Që nga shtatori 2011, kur BSH filloi politikën agresive lehtësuese monetare, norma bazë ka zbritur me 2.25 pikë përqindjeje, interesat e kredive në lekë janë ulur me 3.5 pikë përqindjeje, ato të bonove me 4.3 pikë përqindjeje, ndërsa ato të kredive në lekë me vetëm 1.8 pikë përqindjeje. Kjo ulje më e lartë e normave të depozitave, në raport me ato të kredive bëri që sistemi bankar të rriste ndjeshëm fitimet në 2013-n. Nga ana tjetër depozitat bankare në fund të janarit, prekën vlerën e 950 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 2.3 për qind. Megjithatë, duket se edhe depozitat e kanë ngadalësuar ndjeshëm ritmin e rritjes vjetore, ndërsa krahasuar me dy muajt e fundit paraqiten në rënie të lehtë.
