Kreditimi, ulen vlerat e interesit

anazapta

Interesat e kredive gjatë muajve të parë të këtij viti kanë rënë ndjeshëm krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, interesi mesatar i kredisë, për të gjitha maturitetet, në pesëmujorin e parë të këtij viti ishte 8.9%, nga 10.9% që ishte në pesëmujorin e parë 2013. Ulja e interesit mesatar të kredive me 2 pikë përqindje tregon se kursi lehtësues i politikës monetare në fakt po transmetohet edhe në interesat e huave, ndonëse kjo nuk po mjafton për ta ringritur kreditimin e ekonomisë nga pikëpamja sasiore. Megjithatë, normat e ulëta të interesit janë një element shumë i rëndësishëm për të ulur koston e investimeve të reja në ekonomi dhe për të favorizuar rritjen e kërkesës. Për ata sipërmarrës që kanë projekte të besueshme, sistemi bankar sot mund të ofrojë norma interesi shumë më të ulëta krahasuar me vitet e mëparshme. Një tendencë edhe më të fortë rënëse po pësojnë interesat e depozitave, që në muajin Maj prekën vlerat më të ulëta të historike. Sipas Bankës së Shqipërisë, interesi mestar për depozitat 12 mujore në lekë, ishte 1.9%, ndërkohë që një vit më parë ishte 5.1%. Kjo tendencë e interesit të depozitave reflekton kursin e politikës monetare, që synon të ulë interesin për të kursyer dhe të nxisë shpenzimet. Përveç politikës monetare, ulja drastike e interesit të depozitave po ndikohet edhe nga kërkesa e dobët për kredi. Bankat i investojnë kursimet kryesisht në bono qeveritare, por ulja e huamarrjes së qeverisë në tregun e brendshëm dhe konkurrenca e lartë për blerjen e tyre nga investitorët i ka ulur edhe interesat e këtyre instrumenteve në vlerat minimale historike.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *