Ndjenjat dhe krenarinë që mund të japë fanella kuqezi nuk mund të ta ofrojë asnjë kombëtare tjetër, sado e famshme dhe e fortë që të jetë. Është ky mesazhi që i dërgon kapiteni Lorik Cana lojtarit të Manchester United, Adnan Januzaj, të cilin e sheh si talentin më të madh shqiptar në qarkullim. Në prag të ndeshjes me Armeninë, është rritur numri i rekrutëve të rinj të De Biazit dhe Cana mendon se midis tyre duhet të jetë edhe talenti i ri i “Djajve”, i cili aktualisht është i dyzuar midis Shqipërisë e Belgjikës, atdheut të tij të dytë, ku është lindur e rritur. Për sa i përket ndeshjes së sotme, kapiteni e konsideron mjaft të rëndësishme dhe që do të ketë përkushtimin e duhur nga ana e grupit të lojtarëve, për të bërë një paraqitje sa më të mirë.
– Në çdo ndeshje po afrohen lojtarë të rinj. Është gjë pozitive, apo duhet ruajtur një bërthamë e pandryshueshme futbollistësh?
– Sigurisht që është gjë e mirë. Për shumë vite kombëtarja shqiptare ka qenë e kufizuar për sa i përket numrit të lojtarëve cilësorë. Sigurisht që kështu duhet të jetë një ekip përfaqësues, të zgjidhen lojtarët më të mirë të kombit, ata që janë më në formë për momentin. Besoj se që kur ka ardhur trajneri Xhani De Biazi kjo gjë është arritur. Ai ka filluar një punë dhe ka dëshirë që ta vazhdojë deri në fund.
– Si e keni vlerësuar miqësoren me Armeninë?
– Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet. Ju garantoj se trajneri ndeshjen e merr me shumë seriozitet, kështu që as ne nuk e nënvlerësojmë, sepse mbetet një ndeshje ndërkombëtare. Çdo ndeshje kemi dëshirë ta fitojmë, pasi na sjell një tjetër frymë dhe përgatiten më mirë ndeshjet zyrtare. Por sigurisht nëse luajnë lojtarë të rinj, duhet mirëkuptim që edhe ata të shkrihen me grupin. Natyrisht ekipi do të hyjë në fushë me maksimumin e tij dhe për të bërë një paraqitje të mirë.
– Kjo ndeshje vjen në një moment kur jo të gjithë lojtarët janë në kondicionin e tyre më të mirë fizik. Sa shërben në lidhje me ndeshjet kualifikuese me Slloveninë dhe Islandën?
– Në ndeshjet e gushtit disa lojtarë janë nën mundësitë e tyre, disa të tjerë e kanë filluar kampionatin, disa akoma jo, por kjo nuk është vetëm për ne, është dhe për kundërshtarin dhe për çdo përfaqësuese në Evropë. Edhe vapa është pjesë e verës, kështu që do të jetë edhe për ta edhe për ne. Këto janë gjëra që nuk duhet t’u kushtojmë shumë rëndësi, ne rëndësi i kushtojmë ndeshjes, sidomos atyre që do të kemi në shtator. Çdo grumbullim është shumë i rëndësishëm. Ne nuk e kemi luksin të lëmë kohën të kalojë dhe të presim grumbullimin e ardhshëm për të përgatitur ndeshjet zyrtare.
– Kohët e fundit disa lojtarë që kanë luajtur me ekipet e moshave të vendeve ku jetojnë po afrohen në përfaqësuesen tonë. Është për shkak të rezultateve të mira që po arrihen tani?
– Për punën e zgjedhjeve unë jam shprehur vazhdimisht dhe nuk është nevoja të përsëris mendimet që kam dhënë. Mbase kombëtarja ka bërë hapa përpara dhe kjo i ndihmon lojtarët që kanë emigruar apo që janë rritur jashtë të zgjedhin Shqipërinë nga pikëpamja teknike dhe sportive. Sigurisht secili bën zgjedhjen e vet, por nëse ne e kemi arritur këtë gjë, që ata të afrohen në ekipin tonë, kjo është tejet pozitive.
– Te Manchester United është Adnan Januzaj, 18 vjeç, mendoni se ai mund të bëjë diferencën në kombëtaren shqiptare?
– Me sa e kam ndjekur që kur ai është larguar që në moshën 15-vjeçare nga Anderlehti dhe kur luante me të rinjtë e Mançesterit, është lojtari ndoshta me perspektivën më të madhe. Të luash në moshë kaq të re në një prej tre klubeve më të mëdha në botë është një arritje që nuk e ka realizuar asnjë lojtar shqiptar më parë. Ne dëshirojmë në radhë të parë që ai të vazhdojë të ketë shëndetin, pasi për cilësi duket se nuk do të ketë asnjëherë problem. Kjo më tepër për veten e tij, për karrierën e tij ku ka mundësi të jetë shqiptari i parë që do të fitojë trofe të rëndësishëm. Përpara tij ka qenë Xherdan Shaqiri, i cili fitoi Champions League, por ai ka zgjedhur një përfaqësuese tjetër, ndërsa Adnani ka mundësinë e zgjedhjes. Unë do ta këshilloja atë të zgjidhte Shqipërinë, sepse ai i takon vendit të tij dhe për mendimin tim Shqipëria do t’i sjellë krenari, kënaqësi dhe gjëra që nuk ja sjell dot asnjë përfaqësuese tjetër. Nëse zgjedh Shqipërinë, na bën të gjithëve krenar dhe e presim me shumë dëshirë.

Cana shume respekte per ty. Je nje shqiptar i vertete. Na ben krenar qenia jote ne radhet e shqiptareve te mire. Sigurisht, te mire jane shume, miliona shqiptare, e jo si politikanet hipokrit. Po na prure ate Jonuzajn do rritesh me shume veten para kombit qe te do me zemer si kapiten i madh qe je. Sot duam fitore me armenet te permiresojme me tej radhitjen boterore. Pune vazosh per shortin e ardhshem. Ju dhe kaq sa kini bere, kini bere e dhene shume. Suksese!
E faleminderit.
Respekt per shiptarin e madhe L.cana.
Respekte per Canen, kapitenin me te madh te kombetares shqiptare.
I madh je o Lorik