Krenaria, si pararojë e dështimit

anazapta

Në një moment të caktuar, miqtë e tij serbë me ndërmjetës Fazlliçin, ia mbushën mendjen ish-kryeministrit Berisha për të ndërtuar mbi lumin Buna një central bërthamor, i cili pritej të prodhonte energji sa të gjithë hidrocentralet e kaskadës së Drinit bashkë. Dhe ai pranoi e hyri në negociata me Kroacinë për këtë projekt. Për ta bërë të nevojshëm këtë central, ai duket se urdhëroi “prishjen e hidrocentraleve të kohës së Enverit” – nënkuptonte gazeta gjermane Bild në atë kohë dhe për këtë shërbente edhe Sahit Dollapi me shokë. I mbushi kaskadat e hidrocentraleve mbi Drin tej normave të lejuara dhe synonte kalimin e ujit mbi digë, që uji të merrte më pas me vete edhe digën. Fahredin Hoxha tregoi në një intervistë të asaj kohe, se sado të mundoheshin ata, digat nuk prishen, se janë ndërtuar të forta dhe në atë mënyrë, që uji nuk i dëmton edhe po kaloi mbi to. E përmbysi disa disa herë Shkodrën, Saliu, e ktheu në Venecia. Dhe Zina (nënkupto Jozefina) sillej si tru-kokalle e servile e tejskajshme, pa qenë në gjendje të ndikonte për mirë mbi trurin e marrë të shefit të saj…

Projekti u ndal, ngaqë nuk mund të realizohej, se zona ku ish-kryeministri mendonte të ndërtonte një central bërthamor ishte një zonë sizmike dhe një tërmet po të binte në Shkodër, si më 1985, do përbënte një rrezik për të gjithë rajonin, duke përfshirë Malin e Zi, etj. Nuk pati protesta, por atë kohë shpërtheu nga tërmeti një central bërthamor në Fukushima, Japoni, që i bëri të tremben të gjithë ata që kishin centrale të tilla në vendet e tyre, dhe Gjermania vendosi përshembull, që pas disa vjetësh, t’i mbyllte ato. Edhe ish-kryeministri ynë u detyrua për fat të hiqte dorë nga ky projekt i marrë. U mundua në fund, në atë mënyrën e tij bajate të të bërit “politikë”, që këtë marrëzi, si gjithçka tjetër, t’ia faturonte Edvinit.

Ambientalisti Gilman Bakalli, i sensibilizuar sa s’ka nga ky kërcënim real, që i bëhej Shkodrës nga “dhurata” e Berishës, dhe ngaqë kishte dalë hapur kundër politikave të qeverisë, u mundua të sensibilizonte shkodranët për rrezikun që u kanosej – kuptohet edhe për të fituar simpatinë e bashkëqytetarëve të tij. Pas një përpjekjeje simpatike dhe të dobishme, por të kotë, Gilmani dështoi me sukses. Asokohe iu duk vetja një Don Kishot i dëshpëruar nga Dylqina e Tobozës, madje u shpreh se “shkodranëve po t’ua bëjnë nga një central bërthamor në bythë, nuk luajnë vendit…”!

Asokohe kishte shumë arsye që protesta e ambjentalistëve dhe rinisë të bëhej realisht, por nuk u bë, megjithëse informacionet dhe rreziqet ishin të qarta. Sot, me arsye shumë më të mjegullta, një protestë ambjentalistësh dhe shkollarësh, jo vetëm u bë, por edhe arriti ta rrëzojë demontimin e armëve kimike të Sirisë. Profesor Gjush Sheldia, i njohur në Shkodër thoshte për popullin se shpesh vrapon pas të marrit, më shumë se pas të urtit. “Del një i marrë në rrugë – thoshte Gjushi pak a shumë – dhe të gjithë vrapojnë pas tij. Kurse të mençurin e lënë vetëm, dhe thonë për të çfarë është ky i marrë”.

Ndoshta teprim, por fakt është që ne shqiptarët, shpesh manipulohemi me lehtësi nga padija, Unë e kam të vështirë të besojë se kaq papritur, u fitua një vetëdije kaq e lartë qytetare kundër importit të lëndëve/armëve kimike siriane, që do vinin për shkatërrim në vendin tonë, pa një shtysë apo sponzorizim. E keni pyetur ndonjëherë veten ku u gjetën menjëherë ato qindra kundragaze? Por sido që të jetë, rinia ka fuqinë t’i ndryshojë gjërat, për mirë ose për keq, kur forca e saj bashkohet dhe orientohet për një qëllim të mirë. Duhet informacion. Ndryshe manipulohesh. Në rastin e armëve kimike siriane, mendoj se e kanë rrezikun brenda, por prapë se prapë, gjërat është mirë të diskutohen në prizmin e leverdisë sonë ekonomike e politike si komb, dhe të mos kërcehet përpjetë në histeri kolektive, duke shfrytëzuar thjesht frikën e njerëzve nga e panjohura, apo duke nxitur atë që quhet “krenari kombëtare” sepse është fare e pavend në raste të tilla. Krenaria – thotë Bill Clinton, duke iu referuar Jaser Arafatit – është pararojë e dështimit.

 

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *